Blenë në dyqane me euro të falsifikuara/ Në pranga dy persona në Vlorë, sekuestrohen para, celularë dhe një makinë

13/02/2024 08:39

Dy të rinj banues në Fier janë arrestuar nga policia e Vlorës këtë të martë, pasi blenë më euro të falsifikuara në disa dyqane.

Sipas policisë, ndaj 21-vjeçarit M. V. kanë nisur hetimet, pasi kishte djeni për veprimtarinë kriminale të dy të arrestuarve.

Dy personat që ranë në pranga janë A. A., 23 vjeç, banues në Dibër dhe D. A., 22 vjeç, banues në Fier.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore se dy shtetas dispononin kartëmonedha të falsifikuara dhe po i përdornin në disa subjekte të ndryshme në qytetin e Vlorës, organizuan punën në bashkëpunim me shërbimet e Forcën së Posaçme “Shqiponja” të DVP Vlorë, për identifikimin dhe kapjen e tyre. Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale u identifikuan, u kapën dhe u arrestuan shtetasit A. A., 23 vjeç, banues në Dibër dhe D. A., 22 vjeç, banues në Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë përdorur kartëmonedha euro të dyshuara të falsifikuara, për të blerë produkte në disa subjekte tregtare në qytetin e Vlorës. Gjithashtu, në vijim të veprimeve u refruan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. V., 21 vjeç, pasi dyshohet se kishte djeni për veprimtarinë kriminale të 2 shtetasve tashmë të arrestuar”, sipas njoftimit të policisë.

Policia gjithashtu sekuestroi  2500 euro të falsifikuara, 120 400 lekë, një automjet tip “BMW” dhe 4 celularë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë.

Top Channel