Autoritetet në Francë thanë sot se pjesa më e keqe e krizës ‘kishte mbaruar’ teksa fermerët po hiqnin barikadat e tyre, ndërsa demonstratat kundër politikave bujqësore të BE vijonin në Evropë, përfshi vende si Spanja, Italia, Greqia e Portugalia.
Teksa fermerët francezë ktheheshin sot në zonat e tyre në jugperëndim të vendit, ata bënin ndalesa çlodhjeje në Bergerac e Dordogne.
“Nuk u kthyem me të gjitha ato që kërkonim, por do t’i zgjidhim një nga një, do të punojmë me prefektët”, tha Jose Perez, bashkë-president i shoqates rurale CR47.
Prej më shumë se një jave fermerët në Francë bllokuan qytetet për të kundërshtuar rregullat e reja mjedisore të qeverisë që i japin avantazh importeve të lira nga jashtë vendit, përfshi dhe ato nga Ukraina, shkruan rrjeti AFP.
Dje u njoftua ndërprerja e protestës nga dy sindikata kryesore fermerësh në Francë, të cilat nxitën fermerët demonstrues të largojnë traktorët nga rrugët.
Ministri francez i bujqësisë Marc Fesneau tha se pjesa më e keqe e krizës ka kaluar.
“Por çeshtjet që kanë dalë në pah në këtë krizë do të mbeten me ne”, tha ai për rrjetin CNews television.
Ndërkohë në të tjera vende evropiane si Italia, Greqia e Spanjë protestat e fermerëve do të vazhdojnë.
Në Spanjë tre sindikatat kryesore thanë se do të vazhdojnë mobilizimin edhe pas një takimi me ministrin e bujqësisë që ishte zotuar “të punonte’ për zgjidhjen e krizës.
Në Itali karvanet e fermerëve nisën dje dhe në ishujt e Siçilisë dhe të Sardenjës, teksa të tjera karvanë janë mbledhur sot në kryeqytetin Romë.
Top Channel