Paratë “cash” do të përdoren më pak! Rama flet për digjitalizimin e shërbimeve financiare: Banka e Shqipërisë të udhëheqë procesin, s’ka justifikime

01/02/2024 11:20

Qeveria synon uljen e përdorimit të parave cash dhe digjitalizimin e shërbimeve financiare.

Kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësuesit e sistemit bankar dhe të industrisë së re Fintech në Shtëpinë e Biznesit te Piramida e Tiranës, u kërkoi bankave të përshtaten me inovacionin. Procesi do të udhëhiqet nga Banka e Shqipërisë.

Sipas kryeministrit, reduktimi i parave cash dhe shtimi i transaksioneve bankare do të rrisë transparencën e parasë dhe do të sjellë më shumë të ardhura për vendin.

Besoj se është kohë për t’u kuptuar mirë së bashku që ne nuk mund të jemi një vend që mbetet shumë i mbyllur në inovacion. Nuk mund të jemi një vend që mbetet i kapur në një boshllëk midis mënyrës si funksionon sistemi ynë financiar. S’mund të jemi një vend që vazhdon me një volum cash të papranueshëm në qarkullim.

S’mund të jemi në vend që kërkon formalizimin e ekonomisë me inspektime fizike dhe gjoba që kanë rezultuar shumë herë metodë e pasuksesshme. S’mund të jemi një vend ku bankat mbeten shumë larg nevojës së ekonomisë kur vjen puna te shpejtësia dhe efiçenca e transaksioneve.

Shqipëria duhet të fokusohet te inovacioni. Është koha të merremi vesh qartë. Nuk mund ta pranojmë këtë situatë në një kohë kur teknologjia, çdo ditë që humbasim, na lë mbrapa.

Duam të shohim rënie reale  të cash, rritje të transparencës së parasë, rritje të të ardhurave për vendin. Këtë duam ta bëjmë në transparencë të plotë. Ju lutem të gjitha bankave… Banka e Shqipërisë të udhëheqë këtë proces me shumë forcë dhe të gjitha justifikimet e alibitë që vijnë nga prishja e zonës së komfortit, nuk do t’i pranojmë. Çdo gjë që bëjnë vendet e tjera, s’ka pse të mos e bëjë Shqipëria“, u shpreh kryeministri.

Edhe ministri i Financave, Ervin Mete tha se është e nevojshme një qasje e strukturuar, së bashku me aktorët e sektorit financiar dhe institucionet rregullatore, për të pasur një strategji edhe në përfshirjen financiare. Kjo pasi, sipas Ministrit Mete, për reduktimin e parasë cash duhet të ketë edhe një rritje të përfshirjes financiare.

“Ka modele të avancimit dhe të përfshirjes financiare të qytetarëve në sektorin bankar, e duke theksuar këtu edhe edukimin financiar që në vetvete, nëse bëhet siç duhet, është një ndihmues dhe komponent i rëndësishëm edhe i përfshirjes më të gjerë nëpërmjet përdorimit të fintech”, theksoi Mete.

Në takimin me temë “Inovacioni në Sistemin Financiar” morën pjesë kryeministri Edi Rama, ministri i Financave, Ervin Mete, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe drejtues të Shoqatës së Bankave, sektorit bankar dhe institucioneve të parasë elektronike.

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit mes gjithë aktorëve për tejkalimin e problematikave dhe sfidave për zhvillimin e sistemit financiar në vendin tonë, në funksion shfrytëzimit të mundësive që ofron digjitalizimi, nxitjes së inovacionit e kështu zhvillimit ekonomik të vendit.

 “Për të diskutuar për të gjitha këto dhe për të shtyrë përpara proceset që ne kemi iniciuar tashmë, si dhe për të marrë disa garanci që ato afate dhe deadline të përcaktuara në ligje apo rregullore të respektohen, ne organizojmë tryezën e sotme, duke e parë njëri-tjetrin si bashkëpunëtorë dhe më të ndërlidhur, në mënyrë të tejkalojmë sfidat dhe të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që digjitalizimi na jep, me qëllim të nxitjes së inovacionit dhe zhvillimit ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA