“Ne e mohojmë”/ Ukraina hedh poshtë pretendimet ruse për pushtimin e Kostyantynivka-s, qyteti i njohur si pikë strategjike e mbrojtjes ukrainase
Pelegrinazhi publik për trupin e udhëheqësit suprem të ndjerë të Iranit, Ali Khamenei, ka nisur zyrtarisht në Teheran, ku mijëra besimtarë janë mbledhur për t’i bërë homazhet e fundit.
Khamenei, udhëheqësi më jetëgjatë i Republikës Islamike të Iranit që nga themelimi i saj në vitin 1979, u vra në moshën 86-vjeçare gjatë një sulmi ndaj rezidencës së tij në ditën e parë të bombardimeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt.
Katër muaj pas vdekjes së tij, arkivoli, mbi të cilin është vendosur çallma e zezë simbolike, është ekspozuar në Xhaminë e Madhe në Teheran. Kompleksi fetar është zbukuruar me portrete të mëdha të Khameneit, flamuj të zinj në shenjë zie dhe flamuj të kuq, që simbolizojnë martirizimin dhe hakmarrjen.
Mijëra besimtarë, shumica të veshur me të zeza, u mblodhën pranë xhamisë që në orët e para të mëngjesit, përpara hapjes së dyerve në orën 06:00 sipas kohës lokale. Shumë prej tyre mbanin flamuj të kuq me mbishkrimin “martir”, ndërsa sipas një gazetari të AFP-së, në turmë u dëgjuan thirrje si “Hakmarrje”, “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, slogane të zakonshme në tubimet zyrtare iraniane.
Autoritetet iraniane presin që vetëm në Teheran në ceremoninë mortore të marrin pjesë nga 15 deri në 20 milionë njerëz. Funerali, i planifikuar fillimisht për muajin mars, u shty për shkak të luftës dhe pritet të jetë një nga më të mëdhenjtë në historinë e Iranit.
Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 1989 rreth 10 milionë persona morën pjesë në funeralin e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Ruhollah Khomeini. Gjatë asaj ceremonie, mbi 10 persona humbën jetën si pasojë e rrëmujës në turmë.
Ceremonitë mortore për Ali Khamenein do të zgjasin gjashtë ditë dhe konsiderohen nga autoritetet iraniane si një demonstrim force pas luftës së nisur me sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, konflikt gjatë të cilit humbën jetën edhe një numër i madh zyrtarësh të lartë politikë dhe ushtarakë.
Ndërkohë, prania e djalit të tij, Mojtaba Khamenei, i cili sipas këtij skenari e pasoi në krye të vendit në fillim të marsit, nuk është konfirmuar ende. I plagosur gjatë sulmit që i mori jetën të atit, ai ka bërë vetëm deklarata publike dhe nuk është shfaqur para qytetarëve.
Në ceremonitë zyrtare kanë marrë pjesë presidenti iranian Masoud Pezeshkian, kryetari i Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, anëtarë të qeverisë dhe komandanti i Gardës Revolucionare, Ahmad Vahidi.
Që prej një dite më parë, shumë qytetarë kanë pritur jashtë Xhamisë së Madhe për të qenë ndër të parët që do t’i bëjnë homazhe trupit të Khameneit.
“Duam t’i themi lamtumirën e fundit udhëheqësit tonë, ndaj pritja nuk është as e dhimbshme dhe as e vështirë për ne”, tha për AFP-në Somayeh Hamedi, një mësuese 44-vjeçare.
Ndërsa disa prej të pranishmëve shpërthyen në lot, të tjerë pritën në heshtje, teksa në ambientet e xhamisë recitoheshin poezi dhe interpretoheshin këngë fetare.
“Të jesh këtu është gjëja e fundit dhe e vetme që mund të bëjmë për Ali Khamenein, i cili sakrifikoi jetën e tij për Iranin”, tha Fatemeh Noudehi, një studente 25-vjeçare nga veriu i vendit, e cila ishte paraqitur vullnetarisht për të ndihmuar pelegrinët.
Top Channel