Ekonomia kreative e Tiranës! Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit mes Bashkisë së Tiranës dhe “British Council”

28/01/2024 16:22

Ekonomia Kreative bën bashkë profesionistë nga Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar.

Në ambientet e Piramidës, u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe British Council, ku shprehet angazhimi për të punuar së bashku në tre vitet në vijim për hartimin e një Strategjie Zhvillimi për ekonominë kreative.

 “Unë besoj se edhe te kjo fushë, te fusha e kreativitetit, që nuk është vetëm arti dhe kultura, është edhe fashion, është edhe start-up-i e gjithë kultura e biznesit digjital, ne do kemi mundësi të mësojmë nga më të mirët. Unë besoj se duhet të fusim pak kulturën e sipërmarrjes, si t’i kontabilizojmë disa nga këto gjëra, si mundet që një produkt mos të shihet vetëm nga 100 apo 1000 vetë, por si mund të kontabilizojmë që e gjithë shoqëria të përfshihet në një marrëdhënie financiare dhe kontributi”, tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, është vetëm çështje kohe që Tirana të jetë qyteti i punëve krijuese dhe digjitale të së ardhmes.

“Sot 25% e ekonomisë së Tiranës është turizmi, 25% janë punët e reja digjitale, punët e reja që në fakt kanë buruar nga komuniteti kreativ. Unë besoj që nëse ne mund ta kthejmë Tiranën nga qyteti i këpucëve, në një qytet të turizmit dhe të digjitalizimit, është vetëm çështje kohe që Tirana, siç ishte Kryeqytet i Rinisë e i Sportit, të jetë gjithashtu një qytet i punëve digjitale e të së ardhmes”, tha kryebashkiaku.

Në vitin 2022, Bashkia e Tiranës themeloi Agjencinë e Industrive Krijuese të Tiranës, në mënyrë që të integrojë dhe zhvillojë sektorin krijues.

Top Channel