Kryeministri Modi inauguron tempullin hindu në tokën e xhamisë së shembur Babri (fotot)

22/01/2024 16:17

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ka inauguruar sot tempullin gjigant kushtuar zotit hindu Ram në qytetin e përplasjeve fetare Ayodhya.

Duke e quajtur zhvillimin “një epokë të re” për Indinë ai përmendi se tempulli është ndërtuar në tokën ku më parë ngrihej xhamia e shekullit të 16-të, që u shemb gjatë përplasjeve te renda fetare në vitin 1992, në tragjedinë ku raportohet se humbën  2,000 njerëz.

Sot në inaugurim ishin të ftuar sportistë e artistë të njohur të vendit, por të tjerë kishin bojkotuar eventin duke thënë se Modi po e shfrytëzonte për përfitime politike edhe pse gjesti mund të nxiste urrejtje mes shumicës hindu dhe pakicës muslimane të vendit.

Muajt në vijim India mban zgjedhje e përgjithshme dhe rivalët e Modi e akuzojnë partinë e tij Bharatiya Janata Party (BJP) se me tempullin po kërkon të marrë votat e popullatës hindu.

Megjithëse kushtetuta e Indisë thotë se vendi është ‘laik’, qeveria duket se po shfrytëzon për fushatë celebrimin fetar, shkruan rrjeti britanik BBC.

Për muslimanët në Ayodhya ngjarja sjell kujtimet e vrazhda të tragjedisë se tre dekadave më parë.

Në ceremoni Modi shihej që performonte ritualet fetare brenda tempullit, bashkë me priftërinjtë dhe krerët e partive nacionaliste hindu.

Tempulli i ri është ndërtuar me një kosto prej më shumë se 200 milionë dollarë, financuar nga donacione të organizatave dhe punimet ende nuk kanë përfunduar plotësisht.

Ndërtimi ishte pjesë e rinovimeve të qytetit me kosto prej 3 miliardë dollarë.

Tempulli i Ram në Ayodhya plotëson zotimet e nacionalistëve Hindu që besojnë se xhamia Babri ishte ndërtuar nga pushtuesit muslimanë mbi rrënojat e një tempulli të mëparshëm hindu.

Një anëtar komuniteti tha për rrjetin BBC në Ayodhya se popullata Hindu kishte të drejtë të ndërtonte tempullin pas një vendimi të favorshëm të gjykatës.

“Nuk ishte një vendim i lehtë për ne por ç’të bëjmë, jemi dhe të trishtuar se u ndërtua pas shkatërrimit të xhamisë”.

Tempulli thuajse tre-katësh  është ndërtuar me granit dhe gur shkëmbor. Ai shtrihet në rreth 4 hektarë gjerësi dhe ka një statujë të hyjnisë mbi një piedestal të lartë.

FOTO GALERI
3/3
Tempulli i ri është ndërtuar me një kosto prej më shumë se 200 milionë dollarë, financuar nga donacione të organizatave dhe punimet ende nuk kanë përfunduar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA