“Mos harroni Ukrainën”, Scholz thirrje vendeve të BE-së të shtojnë furnizimet me armë

09/01/2024 10:09

Me vëmendjen e botës të spostuar tashmë tek konflikti më i fundit i Lindjes së Mesme, kancelari gjerman Olaf Scholz kërkoi ta rikthente fokusin e Europës edhe një herë tek Ukraina, e cila përballet tashmë më në heshtje me agresionin e pandalshëm rus.

Kancelari gjerman i bëri apel vendeve anëtare të Bashkimit Europian të shtojnë ndihmën ushtarake, që është praktikisht jetike për këtë komb të përballur me pushtimin e Moskës.

“Dërgesat e armëve për Ukrainën, të planifikuara nga shumica e vendeve anëtare të BE-së tani, janë shumë të vogla… unë u bëj thirrje aleatëve tanë në Bashkimin Europian që gjithashtu t’i rrisin përpjekjet e tyre për Ukrainën”, tha Scholz.

Pas Shteteve të Bashkuara, Gjermania është mbështetësja e dytë më e madh ushtarake e Ukrainës, e cila ka paralajmëruar prej disa kohësh tashmë se lufta dhe financat e saj publike do të jenë në rrezik të madh, nëse do të ndalen ndihmat prej Perëndimit. Ndihma e aleatëve të Washingtonit në Europë për Kievin ka ardhur gradualisht në rënie së fundi, ndërkohë që Moska nuk jep shenja zbutjeje të ofensivës së saj.

Vetëm një ditë më parë, ushtria ruse i sulmoi rajonet e Ukrainës me një breshëri raketash, duke i vrarë së paku katër persona, plagosur mbi 40 të tjerë, si dhe duke shkaktuar dëme në infrastrukturën civile dhe objektet ekonomike. Gjatë gjithë ditës dje, në shumicën e vendit, përfshirë kryeqytetin, u lëshuan sirena për sulme ajrore.

Top Channel