Përçarje në qeverinë izraelite/ Ministri i kabinetit të luftës kërcënon Netanyahun, kërkesa për ‘fatin’ e Gazës

19/05/2024 08:31

Ministri izraelit i kabinetit të luftës, Benny Gantz, ka kërcënuar se do të japë dorëheqjen nëse kryeministri Benjamin Netanyahu nuk përcakton një plan të pasluftës për Rripin e Gazës.

Gantz vendosi si afat 8 qershorin për të arritur gjashtë “qëllime strategjike”, duke përfshirë fundin e sundimit të Hamasit në Gaza dhe krijimin e një administrate civile shumëkombëshe për territorin.

“Nëse e vendosni kombin mbi veten, te ne do të gjeni partnerë në luftë. Por nëse zgjidhni rrugën e fanatikëve dhe e çoni të gjithë kombin në humnerë, ne do të detyrohemi të largohemi nga qeveria”, tha ai.

Netanyahu i hodhi poshtë komentet, pasi sipas tij një gjë e tillë do të thoshte “humbje për Izraelin”.

Përçarja në rritje ne qeveri vjen ndërsa luftimet janë ndezur në të dy skajet e Rripit të Gazës, me forcat izraelite që operojnë në qytetin jugor të Rafah dhe qytetin verior të Jabalia, një nga kampet historike të refugjatëve të Gazës dhe një zonë që ushtria izraelite tha më parë se e kishte pastruar nga luftëtarët e Hamasit.

Pak ditë më parë, një tjetër anëtar i kabinetit të luftës, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, i kërkoi Netanyahut të deklaronte publikisht se Izraeli nuk kishte plane për të marrë përsipër sundimin civil dhe ushtarak në Gaza.

Gallant dhe Gantz thonë se mbajtja e kontrollit ushtarak në Gaza do të rriste rreziqet e sigurisë së Izraelit, ndërsa të tjerët, duke përfshirë anëtarët e ekstremit të djathtë të koalicionit qeverisës të Netanyahut në qeveri, besojnë se kontrolli i vazhdueshëm është i nevojshëm për të mposhtur Hamasin.

Ndër gjashtë synimet strategjike që ai parashtroi ishin kthimi i të gjithë pengjeve izraelitë të mbajtur ende nga Hamasi në Gaza dhe kthimi i civilëve palestinezë të zhvendosur në Gazën veriore deri më 1 shtator.

Madje, sipas tij,  Izraeli duhet të vazhdojë të kërkojë normalizimin e marrëdhënieve me Arabinë Saudite si pjesë e një “procesi gjithëpërfshirës për të krijuar një aleancë me botën e lirë dhe Perëndimin kundër Iranit dhe aleatëve të tij”

Në përgjigje rë Gantz, Netanyahu tha se përmbushja e këtyre kërkesave do të çonte në “fundin e luftës dhe një disfatë për Izraelin, braktisjen e shumicës së pengjeve, lënien e Hamasit të paprekur dhe krijimin e një shteti palestinez”.

Kabineti i luftës i Izraelit u krijua pasi Hamasi sulmoi komunitetet izraelite pranë Gazës më 7 tetor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë pengje.

Top Channel