“Exclusive” në Top Channel ka trajtuar temën e trajnerëve italianë të Kombëtares sonë
Një ndër ta ka qenë edhe veterani i pankinave të disa klubeve në Serinë A, Edoardo Reja. Ai erdhi në Shqipëri në një periudhë tensioni, pas trajnerit Kristian Panuçi, emër i madh si futbollist por që nuk mund të themi të njëjtën gjë si trajner. Ai solli një atmosferë ndryshe që në fund nuk pati sukses as në menaxhim dhe as në rezultate. Në më pak se 2 vite, nga shtatori i vitit 2017-të deri në mars të vitit 2019 ish-mbrojtësi i Milanit, Romës, Realit të Madridit dhe Italisë regjistroi një bilanc 15 ndeshjesh, 9 humbje, 2 barazime dhe vetëm 4 fitore.
“Trajnerët apo rezultatet dalëngadalë harrohen, ajo që mbetet janë raportet njerëzore. Unë këtu kam gjetur shumë miq, mbi të gjitha kam patur mbështetjen e shumë shqiptarëve, por jo vetëm këtu edhe ata që jetojnë në Itali kur më shohin më ndalojnë për ndonjë foto. Por ajo që është rritur dhe përmirësuar shumë është federata dhe qendra e saj sportive. Këtu veç dy fushave është palestra, qendra e rikuperimit dhe të gjitha strukturat e nevojshme, kur kam ardhur unë në krye të Shqipërisë nuk kishim asgjë. Kështu skuadra është përmirësuar ndjeshëm por kjo edhe në sajë të rritjes së institucionit dhe për të gjithë këtë duhet të përgëzojmë edhe presidentin Duka që ka bërë një punë të mrekullueshme”, u shpreh Reja në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Top Channel Endi Tufa.
38 ndeshje numëroi Reja nën ngjyrat kuqezi në 3 vite e gjysmë që qëndroi në krye të pankinës, i kritikuar shpesh për skemën, për mënyrën e butë dhe tolerante shpesh ndaj lojtarëve edhe përtej asaj që e meritonin, por gjithsesi kjo nuk e pengoi që të fitonte një raund eliminator të Ligës së Kombeve duke na ngjitur nga Liga C në Ligën B dhe të numërojë 14 fitore, 9 barazime dhe 15 humbje.
“Unë kam jetuar shumë pak në Tiranë pasi qëndronim kryesisht në Durrës dhe praktikisht kam jetuar në Durrës. Në ato pak herët që vija në Tiranë dhe dilja të shëtisja kuptoja që kjo është një tjetër Shqipëri e Tiranës, të paktën këtë përshtypje kam unë. Jashtë Tiranës nuk e shoh këtë luks apo këta të pasur, ndërkohë që kur jeton këtu e kupton më mirë, por në të vërtetë Tirana tashmë është një qytet i rëndësishëm i Europës. Edhe italianët që vijnë këtu për ta vizituar dhe i kam takuar më pas në Itali më flasin shumë mirë, sidomos për ushqimin. Unë kam ngrënë këtu për shembull gatime peshku që nuk i kam ngrënë kurrë në jetën time. Por edhe picat jo vetëm peshku, unë kam jetuar në Napoli për 5 vite dhe në të gjithë botën flitet për picën napoletane, por pasi kam provuar këtu, mendoj me vete çfarë pice napolitane thonë këta?! Për të gjitha këto dua t’i bëjë komplimentet e mija sipërmarrësve shqiptarë. Kam vizituar edhe pse pak, edhe zonën e Sarandës. Çfarë mund të them më tepër unë për Shqipërinë, tashmë ky është si vendi im, dhe momentin që u largova më erdhi shumë keq se kam një lidhje të fortë me ju, por mosha po më kalon dhe po bëhem edhe më i madh, dhe këto pak vite që më kanë mbetur, që uroj të mos jenë pak, më duhet ti kaloj në shtëpinë time i qetë edhe pse Shqipërinë do ta dua gjithmonë pasi kam kaluar kohë të mirë këtu”, ka thënë ai.
Ndryshe nga trajnerët dhe ish-trajnerët e kombëtares shqiptare Edoardo Reja shpesh ishte i interesuar të dinte më shumë për Shqipërinë, historinë tonë dhe vendet që duhen vizituar tek ne.
“Vitin e fundit që isha në krye të skuadrës shqiptare fillova të vizitoj pak edhe vendet e Shqipërisë, pash Gjirokastrën, më ka mbetur në mendje edhe Kruja pasi ai është vendi i Skënderbeut dhe që unë dua ta njoh pak më mirë historinë e tij edhe pse deri tani kam lexuar disa libra, por dua të kthehem ta vizitoj qytetin, kalanë dhe të flas me njerëzit atje. Kur erdha në fillim mbaj mend që konsiderohej një vend i varfër, por vitet e fundit ka ndryshuar shumë. Më vjen keq kur dëgjoj njerëz dhe lexoj se të rinjtë duan të ikin, besoj se ka vende pune edhe këtu, sidomos në sektorin e ndërtimit. Unë njoh shumë shqiptarë që në Itali që punojnë në këtë sektor, sidomos në Friuli thuajse të gjitha kompanitë e ndërtimit janë shqiptare. Por do të më pëlqente që të rinjtë sidomos, të qëndronin dhe të punonin këtu, por ky është një proces që kërkon kohë”, tha Reja.
Edhe pse kaq i interesuar për historinë e vendit tonë, edhe pse kontribuoi në 3 vite e gjysmë këtu dhe me një marrëdhënie të shkëlqyer, jo vetëm me njerëzit e sportit dhe institucionin e futbollit por edhe me ata të politikës, Edoardo Reja nuk e pati mundësinë të merrte një pasaportë shqiptare.
“Për këtë më vjen keq në fakt, por për të patur këtë vlerësim duhet të arrish rezultate apo jo?! Erdhi Sylvinho dhe për pak muaj e mori menjëherë pasaportën, ndërkohë unë në tre vite e gjysmë nuk e mora dot. Megjithatë përtej gjithçkaje ky vlerësim është një kënaqësi më vete, por unë nuk arrita ndonjë rezultat edhe pse diçka të vogël e bëra edhe unë. Të paktën e përgatita këtë skuadër që të shkojë përpara në Europian tashmë”, përfundon Reja.
Top Channel