Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço e ka konsideruar plagosjen e 52-vjeçares italiane me plumb qorr në Tiranë, një problem shumë i madh që nuk kishte ndodhur prej vitesh.

I ftuar në “Top Talk”, Karamuço tha se duhet kryer një hetim kompleks për të mbërritur deri në përfundime dhe më pas në denim të autorit. “Por nuk duhet harruar se ne kishim thënë që policia është në nivel të lartë gatishmërie për Vitin e Ri dhe nëse është kështu, ajo nuk qëndron në gatishmëri vetëm në qendër, por edhe në rrethina”- u shpreh eksperti i kriminalistikës, duke shtuar se Policia e ka kryer shumë mirë këtë detyrë në raste të tjera.

Karamuço: U premtua nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit që për festa nuk do të ketë fishekzjarre. U goditën biznese, nuk futet më asgjë etj etj, ndërkohë që Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë filluan që në datën 29, 30, pothuajse në të njëjtin nivel që e kanë pasur gjithmonë festimet individuale për Vitin e Ri me shpërthime fishekzjarrësh që ndonjëherë përbën edhe shqetësim. Pati njerëz në urgjencë në spital, edhe me dëmtime të gjymtyrëve, por nuk e kishim dëgjuar prej shumë vitesh plagosjen nga plumbat qorr. Ky është një problem shumë i madh që na u rikthye edhe njëherë në vëmendje.

Pra ka ende njerëz në rrethinat e Tiranës që qëllojnë me automatik?! Predha që ka ikur në lartësi shkon dhe i pret veshin, i hynë në qaf një turiste dhe depërton tek cipa e mushkërisë?! Mendoni, një turiste italiane që erdhi në Shqipëri për të festuar në një vend që sikurse bashkëatdhetarët e saj e lakmojnë prej disa vitesh si një vend ku mund të akomodohesh shumë mirë për të kaluar pensionin.

Më tej, e njejta ngjarje ndodh në një pikë tjetër të Tiranës, te Piramida. Ku një person goditet prapë nga plumba qorr, megjithëse plagosja ishte më e lehtë se zonja në fjalë që pret që të transferohet urgjentisht për ndërhyrje kirurgjikale në Itali për ti nxjerrë plumbin.

Xhokaxhi: E para, fillon dhe bëhet e frikshme jo vetëm për turistët por edhe ne të tjerët që dëshirojmë të dalin për festa. Dhe së dyti, sa shanse ka që të zbardhen këto ngjarje sepse e etiketojnë plumb qorr dhe askush nuk e di se nga është qëlluar?

Karamuço: Bëhet një ekspertim balistik për të parë rënien e lirë, zona nga mund të ketë ardhur dhe të tjera si këto. Por këto mbështeten edhe në informacion operativ se nga mund të jetë qëlluar. Nëse është qëlluar nga 10 vende më pas vendos nën masën e sigurisë personat dhe sekuestron armën për të bërë krahasimin e predhës me atë që nuk është nxjerrë ende nga zonja. Pra ka një hetim kompleks kjo histori se si të mbërrish deri në përfundime dhe më pas në dënim. Por nuk duhet harruar se ne kishim thënë që policia është në nivel të lartë gatishmërie për Vitin e Ri dhe nëse është kështu, ajo nuk qëndron në gatishmëri vetëm në qendër, por edhe në rrethina.

Dhe kështu nga krismat që dallojnë shumë nga fishekzjarrët, ti mbërrin, bën rrethimin e zonës… Policia e ka bërë shumë mirë këtë detyrë në raste të tjera”- tha Karamuço.

Dy porositë e ekspertit të kriminalistikës për ministrin e Brendshëm Taulant Balla janë mbi mënyrën si duhen trajtuar të dhënat për viktimat për shkak të krimit dhe formularët e vetëdeklarimit “Sky ECC”.

I ndalur te analiza e Ballës për vitin 2023 dhe prespektiva për 2024-rën, Karamuço nuk pajtohet me shifrat e vrasjeve duke theksuar se vepra penale e vrasjes mund të jetë kryer 35 herë sa thotë ministri, por viktima janë 43. Ndërsa sygjeron sqarimin e lëmshit me shifrat, Karamuço thotë se me censusin e ri që do të na përballë me një rënie drastike të numrit të popullsisë, niveli propocional i kriminalitetit është më i lartë se ai që ka qenë dhe 43 viktima në 1.8 milion banorë nuk është arritje e Policisë së Shtetit.

Sa u përket formularëve të vetëdeklarimit “SKY ECC”, Karamuço tha me sigurinë më të madhe se ata janë të gjithë papërjashtim negativ.

Eksperti i kriminalistikës ka hedhur poshtë paralelizmat e Ballës për ngjashmëritë e këtij procesi me vetëdeklarimin e kandidatëve për deputetë apo kryebashkiak. Sipas Karamuços, pavarësisht indicjeve që mund të ketë Policia e Shtetit për persona të caktuar nga radhët e saj në rrugë operative, ato nuk janë prova; një zip file i Europolit i ardhur nga Haga është provë, dhe nëse kërkohet nga drejtësia shqiptare ajo nuk shkon në zyrën e Ministrit të Brendshëm, por SPAK-ut. Policia nuk mund të hetojë policinë, thekson eksperti i kriminalistikës.

Karamuço: Sa u përket shifrave, jo vetëm media, por të gjithë së bashku nuk biem dakord për shifrat e vrasjeve të ministrit të Brendshëm. Ose të thuhet që këto janë vepra penale të vrasjes, ose… sepse viktima janë më shumë. Janë mbi 40, ndërkohë që ministri thotë janë 35. Unë nuk e di nëse ka parasysh veprën penale të vrasjes kur thua vrasje, sepse Dan Hutra ne na vrau 3. Kemi pasur 2. Pra në një ngjarje kriminale ne kemi disa viktima. Nëse e llogarit kështu numri shkon mbi 40. Dhe nuk e kemi llogaritur ende se si do t’i konsiderojmë të zhdukurit e Sarandës.

Nga ana tjetër caktohet prioritet Ervis Martinaj, por edhe disa persona të tjerë në kërkim. Nuk dihen dritë hijet e fatit të tyre.

Censusin nuk e kemi më me 2.8 milionë banorë në Shqipëri. Censusi mund të na bier nën… Nga informacionet e para që kam mund të na shkojë në -1 milion në Shqipëri. Kështu që kur të publikohet do të shikoni se raportin e kriminalitetit përgjatë këtyre viteve ne e kemi bërë gabim dhe kemi dalë mes vendeve europiane në vend të 6, 7, për shkallën e vdekshmërisë për shkak të kriminalitetit.

Por rillogaritja që do të na bëhet për shkak të censusit të ri, do të shikoni sa problematike do të jetë. Ky census do të vlerësojë se kanë ikur shumica e personave dhe popullsia që ka mbetur ka një nivel propocional kriminaliteti mbase më të madh sesa ai që ka qenë. E dyta, kur kanë ikur këta kanë marrë me vete edhe bandat sepse në popullsi bëjnë pjesë të gjitha llojet e kategorive. Dhe ata vijojnë veprimtarinë kriminale si andej edhe këndej njëkohësisht. Ju i mbani mend vrasjet që kanë ndodhur me autorë të huaj.

Por a është sukses që me 1 milion popullsi më pak, numri i viktimave nga krimi të jetë 35-43 të jetë një ulje drastike?! Unë mendoj që jo. Absolutisht nuk është një ulje. Shifrat kriminologjike janë një shkencë dhe duhen matur në raport me popullsinë, në raport fluksin e njerëzve që hyjnë dhe dalin, në raport me elementët kriminogjen që ne na janë shtuar; është shtuar papunësia, grupet kontigjente të narkotikëve, alkoolit, është bërë rinia problematike. Vrasësit me pagesë janë tërhequr në moshë dhe po shkojnë diku 16-15 vjeç. Ne kemi shumë probleme të mëdha dhe po i lamë këto, sipas kriminologjisë, për 10 vite ne do të na dyfishohen apo trefishohen këta lloj njerëzish nëse nuk marrim masa institucionale dhe shoqërore për ti parandaluar.

Xhokaxhi: Profesor, doja të sillja edhe njëherë në kujtesë formularin e vetëdeklarimit “SKY ECC” të cilin Taulant Balla tha se përfundon nesër. Ai bëri një lloj paralelizmi me formularin e dekriminalizimit të të zgjedhurve vendor dhe qendror, duke thënë sado që e pamë me skepticizëm nuk doli pa gjë sepse kemi disa të shkarkuar dhe të dënuar deri më tani për këtë, dhe të njëjtën gjë pret edhe nga këta formular të policëve. A është e njëjta gjë?

Karamuço: Jo, nuk është e njëjta gjë. Te dekriminalizimi ne kemi pasur dhe kemi një njësi në Prokurorinë e Përgjithshme që merr këto formularë dhe fillon kërkimet në vendet partnere që kemi të parashikuara sipas ligjit mbi bazën e indicjeve që ka, vijnë informacionet, çohet në KQZ. Ndërsa te formulari i vetëdeklarimit për SKY ECC ti nuk ke kujt partneri tja çosh sepse ata aty edhe po të thanë “po”, janë të paidentifikuar në sistem. Aktualisht të gjithë formularët thonë “jo”. Të gjithë formularët që janë dorëzuar dhe e them me përgjegjësi këtë, janë negativ. Thonë të gjithë “Jo, nuk kemi përdorur platformën “SKY ECC”. Kjo është një gjëegjëzë që mbahet e fshehtë, pasi mënyra se si do të kryhen këto hetime të kryqëzuara duhet të jetë një taktikë që nuk duhet marrë vesh sepse duhet të mbeten në grackë disa persona që shumicën e tyre ne dhe ministri e di kush janë. I ka vajtur informacioni në zyrë dhe e di sepse midis kolegësh ata e dinë ça celulari kanë dhe rrjetin që ata përdorin. Pra bëhet një lidhje, një analizë për shumë operacione që janë dekonspiruar, shumë persona janë mbajtu nën përgjim nga AMP-ja, por s’kanë folur, ndërkohë ata kanë folur me këtë sistemin tjetër. Pra janë të tilla gjëra që kanë ardhur. Por a janë këto provë?! Jo nuk janë. Informacion janë deri diku në rrugë operative, por nuk vërtetojnë gjithçka. Vërtetimin e bën vetëm një dosje me zip file që të sjell Europoli nga Haga. Por këtë nuk ja çon ministrit të Brendshëm, bëhet me marrëveshje, ja çon SPAK-ut.

Ministria e Brendshme me dosje konkrete kur policët tanë kanë probleme me vepra penale dhe grupe kriminale ja çon SPAK-ut.

Xhokaxhi: Atëhere, çfarë po përpiqet të bëjë ministri i Brendshëm?

Karamuço: Ministri i Brendshëm pas disa ditësh do shkojë në Europol, do takojë drejtorin ekzekutiv të Europolit, do kërkojë informacion dhe ata do ti thonë “zotëri, ke një marrëveshje që nuk ta bëjmë dot kështu siç e kërkon ti”. Policia nuk heton dot policinë.

Top Channel