600 nxënës të shkollës “Azem Hajdari” prej muajit tetor nuk rimburoshen për shpenzimet e transportit nga Babrruja në Paskuqan. Ministria nuk lëshon fonde për rimbursimin e shpenzimeve të transportit.
Emisioni Fiks Fare trajtoi rastin e nxënësve të shkollës 9-vjeçares “Azem Hajdari” Babrru. Nxënësit e kësaj shkollë prej muajsh zhvillojnë mësimin në ambientet e gjimnazit “Isa Boletini” në Paskuqan, pasi shkolla e tyre po rindërtohet.
Projekti i kësaj shkolle ishte parashikuar që të përfundonte me datën 15 tetor, gjithashtu dhe rimbursimi i transportit të nxënësve do të ndërpritej po në atë datë.
Duke qenë se punimet nuk kanë përfunduar, nxënësit e shkollës “Azem Hajdari” shkojnë e vijnë çdo ditë në shkollën e Paskuqanit me shpenzimet e tyre. Kjo pasi ministria nuk ka lëshuar fond për rimbursimin e shpenzimeve të transportit të nxënësve.
Fiksi ka marrë një pohim nga punonjësja e sportelit të postës në Babrru e cila thotë se këto pagesa janë ndërprerë me datën 15 tetor. Si pasojë janë ndërprerë fondet. Ajo thotë se për këtë mund të jepte përgjigje vetëm drejtori i shkollës “Azem Hajdari”.
Fiksi kërkon informacion në drejtorinë e shkollës “Azem Hajdari”. Nëndrejtori i kësaj shkolle jep informacion lidhur me situatën, ku mohon të ketë pasur probleme të tilla dhe se nxënësit e kësaj shkolle i kanë marrë rimbursimet e të gjithë muajve.
Sipas nëndrejtorit këto rimbursime prindërit vazhdojnë i marrin në postë, ndërkohë që posta pohonn se nga muaji tetor këto pagesa janë ndërprerë.
Fjolla Muça Drejtoresha e Projekteve dhe Investimeve në Bashkinë Kamëz në intervistë për Fiksin tha se ka qenë në dijeni të problemit, por nga na e tyre do të rishikohet dhe do të bëhet një kërkesë në Drejtorinë e Arsimit ku do të kërkojnë rimbursimin e nxënësve të shkollës “Azem Hajdari” deri në përfundimin e rindërtimit të kësaj shkolle. Përfundim i cili mendohet se do të jetë në muajin maj.
Top Channel