Presidentja e Harvardit kërkon falje për komentet mbi antisemitizmin

09/12/2023 08:23

Presidentja e Universitetit të Harvardit Claudine Gay, kërkoi falje të premten mes një rritje të trysnisë për dorëheqje të presidentes së Universitetit të Pensilvanisë, lidhur me dëshminë e tyre në një seancë dëgjimore në Kongres mbi antisemitizmin.

Kritikët, duke filluar nga Shtëpia e Bardhë, thonë se drejtuesit e universiteteve elitë amerikane kanë dështuar t’i japin përgjigje rritjes së antisemitizmit në kampuse.

Në një intervistë të enjten për gazetën studentore “The Crimson”, presidentja e Harvardit, Claudine Gay, tha se ajo u përfshi në një shkëmbim të nxehtë në një seancë dëgjimore të komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nuk arriti të denonconte siç duhet, kërcënimet për dhunë ndaj studentëve hebrenj.

Këtë javë ligjvënësit republikanë akuzuan këto universitete se kanë dështuar të ofrojnë mbrojtje për studentët hebrenj ndërsa drejtuesit e tyre refuzuan të thonë qartë nëse thirrjet e grupeve studentore pro-palestineze, për kryerje të gjenocidit ndaj hebrejve, thyejnë kodin për bulizëm dhe ngacmim.

Ndërkohë, një donator i madh i Universitetit të Pensilvanisë, Ross Stevens, i bëri të ditur të enjten zyrtarëve të këtij universiteti, se do të tërhiqte një dhuratë në vlerën e 100 milionë dollarëve, për shkak të “qëndrimit ndaj antisemitizmit në kampus” dhe nëse nuk zëvendësohej presidentja e tij, Liz Magill.

Dëshmitë e zonjës Gay dhe zonjës Magill kanë shkaktuar reagime të forta në vend, sikurse edhe qëndrimi i Presidentit të MIT-së një tjetër universitet elitë, i cili gjithashtu dëshmoi të martën para Komisionit të Arsimit të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga republikanët. Donatorë, ish-studentë si dhe anëtarë të Kongresit në të dyja partive, kanë kërkuar dorëheqjen e tyre.

Tonet e nxehta në komision u shkaktuan për shkak të një sërë pyetjesh sikurse ajo nëse thirrjet për një gjenocid ndaj hebrenjve, shkelnin kodin e sjelljes në universitete. Në seancën dëgjimore të së martës, zonja Gay tha se kjo varej nga konteksti, duke shtuar se kur “një fjalim kalon në sjellje, kjo shkel politikat e universiteteve”.

Por të enjten zonja Gay tha “The Crimson” se i vinte keq për përgjigjen e saj pasi ishte gjendur në një moment, shkëmbimesh të nxehta me ligjvënësit rreth politikave dhe procedurave.

Ajo tha se çka duhet t’i kishte dënuar thirrjet për dhunë kundër komunitetit hebre dhe kërcënimet ndaj studentëve hebrenj si qëndrime nuk kanë vend në Harvard dhe që do të kundërshtohen gjithmonë.

Zonja Magill u tërhoq nga disa prej komenteve të saj të mërkurën, duke thënë se ajo i konsideronte thirrjet për gjenocid ndaj popullit hebre, ngacmim ose frikësim. Ajo tha gjithashtu se do të nisë një rishikim të politikave të Universitetit Penn, duke thënë se megjithëse ato janë udhëhequr prej kohësh nga Kushtetuta amerikane, ishte i nevojshëm një “sqarim e rivlerësim i tyre”.

Universitetet anembanë Shteteve të Bashkuara janë akuzuar se kanë dështuar në mbrojtjen e studentëve hebrenj mes njoftimeve për rritje të antisemitizmit pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Të tre presidentët u thirrën para komisionit për t’iu përgjigjur këtyre akuzave, por përgjigjet e tyre nxitën reagime të reja të ashpra.

Shtëpia e Bardhë iu bashkua kritikave ndaj tyre. Një zëdhënës tha se thirrjet për gjenocid janë “monstruoze dhe në kundërshtim me gjithçka që përfaqësojmë si vend”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA