Verë ekstreme në Evropë/ Temperaturat thyejnë rekordet, gushti muaji më i nxehtë në 125 mijë vitet e fundit

10/09/2026 09:49

Evropa ka përjetuar një nga verat më të nxehta të regjistruara ndonjëherë, ndërsa temperaturat rekord kanë shkaktuar edhe një rritje të ndjeshme të vdekjeve të lidhura me të nxehtin.

Sipas të dhënave të publikuara nga shërbimi evropian i monitorimit të klimës, “Copernicus Climate Change Service, gushti i vitit 2026 ishte muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, me një temperaturë mesatare globale të ajrit prej 16.96°C.

“Gushti 2026 ishte një muaj i jashtëzakonshëm në analet e klimës globale”, tha Samantha Burgess, shkencëtare në Qendrën Evropiane për Parashikime të Motit me Afat të Mesëm (ECMWF).

Sipas saj, temperaturat e regjistruara gjatë kësaj periudhe janë jashtëzakonisht të larta në raport me historinë klimatike të planetit. Burgess tha se njerëzimi ndoshta nuk ka përjetuar temperatura të tilla në të paktën 100 mijë vitet e fundit.

Korriku i vitit 2023 mbetet muaji më i nxehtë i regjistruar deri tani, me një temperaturë mesatare globale prej 16.95°C, vetëm pak më poshtë rekordit të gushtit 2026.

Ndërkohë, periudha qershor-gusht e këtij viti konsiderohet ndër periudhat më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë, në nivele të ngjashme me verën e vitit 2024.

Duke u bazuar edhe në të dhëna klimatike që shtrihen shumë më herët se viti 1940, kur nisën regjistrimet moderne sistematike, shkencëtarët vlerësojnë se periudha aktuale mund të jetë më e ngrohta që Toka ka përjetuar në rreth 125 mijë vitet e fundit.

“Për sa kohë që njerëzimi vazhdon të djegë sasi të mëdha qymyri, nafte dhe gazi, ndotja e krijuar prej tyre do të vazhdojë ta mbinxehë planetin dhe valët ekstreme të të nxehtit do të vazhdojnë të thyejnë rekorde”, tha Simon Stiell, kreu i agjencisë së klimës së OKB-së.

Sipas tij, zgjidhjet janë të qarta: përshpejtimi i tranzicionit drejt burimeve më të pastra të energjisë dhe mbrojtja e pyjeve dhe oqeaneve.

Fenomeni klimatik El Niño ka ndikuar gjithashtu në rritjen e temperaturave të oqeaneve këtë vit dhe ka kontribuar në modele ekstreme të motit, përfshirë thatësirat dhe përmbytjet.

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po e përforcojnë ndikimin e El Niños.

“Ndryshimi i klimës po e bën çdo episod të El Niños më të ngrohtë dhe, për sa kohë që vazhdojmë të djegim qymyr, naftë dhe gaz, këta muaj rekord do të vazhdojnë të pasojnë njëri-tjetrin”, tha Friederike Otto, profesoreshë e klimatologjisë në Imperial College London.

Temperatura mesatare globale në gusht ishte 1.65°C më e lartë se niveli paraindustrial, sipas Copernicus. Ky nivel është ndjeshëm mbi objektivin më ambicioz të Marrëveshjes së Parisit për klimën, prej 1.5°C, dhe është tejkaluar për herë të parë që nga nëntori i vitit 2025.

Top Channel