Thuajse me të njëjtën përmbajtje të padisë por me kërkesë të dorëzuar nga deputetë të ndryshëm, PD është paraqitur sërish e përçarë përballë Gjykatës Kushtetuese ku kërkon kundërshtimin e marrëveshjes për emigrantët të firmosur mes krerëve të qeverive shqiptare dhe italiane, Rama – Meloni.

I pari që ka shkuar paraditen e kësaj të mërkure në Kushtetuese ka qenë grupimi i Lulzim Bashës. Mbështetësit e Bashës argumentojnë se meqënse kryeministri Edi Rama ka arritur të shmang ballafaqimin me opinionin publik, sqarimin, transparencën mbi këtë marrëveshje, Partia Demokratike – e shqetësuar për kostot e saj – i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me 3 kërkesa.

“Së pasi, shqyrtimin e pajtueshmërisë me Kushtetutën e Shqipërisë të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “Protokoll ndërmjet qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e emigracionit.”

Së dyti, pezullimin e proçedurës parlamentare për ratifikimin e “Protokoll ndërmjet qeverisë së republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit.”

Së treti, deklarimin si të papajtueshme me nenet 3, 4, 7 të Kushtetutës dhe Ligjit Nr.43/2016 “Përmarrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë” të marrëveshjes së nënshkruar nga Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Italisë “Protokoll ndërmjet qeverisë së republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, për përforcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit””- tha Çollaku.

Pezullimi i procedurës parlamentare për ratifikimin nënkupton pengimin e miratimit të marrëveshjes për shkak se, pasi ka kaluar në Këshillin e Ministrave të Shqipërisë dhe Italisë, marrëveshja do të diskutohet edhe në seancat plenare duke konkluduar në fund me miratimin e saj.

Sipas nënkryetarit të PD-së, Kreshnik Çollaku padia konsiston në mungesën e transparencës në lidhje me hapat e ndërmarra nga ana e qeverisë shqiptare. Çollaku theksoi se “marrëveshja u shpallë në një mënyrë të çuditshme, e pa njoftuar. Zgjoi një reagim të logjikshëm shqetësimi. Ka qenë objekt i thellë diskutimi, debati publik në Shqipëri dhe Itali, dhe në dallim nga trajtimi i marrëveshjes në Itali, në Shqipëri ka munguar transparenca.”

Më pas, në orën 10:30 ka qenë deputetja e Lezhës Lindita Metaliaj, e cila si përfaqësuese e grupit të Berishës ka deklaruar se padia që ka dorëzuar me firmosjen e 28 deputetëve demokrat kërkon pezullimin e procedurës parlamentare për ratifikimin e marrëveshjes dhe shpalljen e papajtueshmërisë së saj me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Lindita Metaliaj, si deputete e Qarkut të Lezhës, ka theksuar që së bashku me deputetët e tjerë që kanë firmosur këtë padi kanë vendosur t’i shkojnë deri në fund mbrojtjes së interesit të qytetarëve. “Edi Rama nuk mund të vendos për fatin tonë në shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo nuk ka të bëjë fare me marrëdhëniet tona me Italinë, të cilat do të jenë gjithmonë shumë të mira”– tha ajo.

Më 6 nëntor kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni nënshkruan në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e emigrantëve. Sipas marrëveshjes për emigrantët porti i zbarkimit do të jetë Shëngjini, ndërsa Gjadri do të jetë kampi ku do të ndërtohet vendqëndrimi i tyre. Kapaciteti maksimal i numrit që do të presë qendra në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë emigrantë në muaj.

Shpenzimet për këtë vendim politik deri më tani do të përballohen nga Italia, e cila do t’i paguajë Shqipërisë fondin e parë në shumën 16.5 milionë euro, brenda një 3-mujori. Parashikohet që mbi 100 milionë euro të jenë të ngrira në një llogari bankare të nivelit të dytë si garanci. Italia, ndërkaq merr përsipër të gjitha shpenzimet për kujdesin spitalor sipas legjislacionit shqiptar, pas administrimit të trajtimeve spitalore të palës shqiptare. Emigrantët do të qëndrojnë në pritje të përgjigjes për azil nga autoritetet italiane në strukturën që do ndërtohet po nga italianët.

Kohëzgjatja e marrëveshjes do jetë 5 vjet, por mund të shtyhet automatikisht edhe me 5 vite të tjera nëse ndonjëra nga palët nuk komunikon të paktën gjashtë muaj përpara afatit të përfundimit qëllimin e saj për të mos e rinovuar këtë protokoll. Më 21 nëntor, Dhoma e Përfaqësuesve në Parlamentin Italian miratoi me 189 vota pro dhe 126 kundër rezolutën e mazhorancës italiane, pavarësisht kritikave të opozitës.

Top Channel