OBSH kërkon një taksë për alkoolin dhe pijet me sheqer

06/12/2023 14:54

Shumica e vendeve nuk taksojnë alkoolin dhe pijet joalkoolike me sheqer, që t’i japin stimuj qytetarëve në mbarë botën për sjellje më të shëndetshme, thekson Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Rreth 148 vende kanë vendosur akcizë për pijet alkoolike në nivel kombëtar. Megjithatë, vera është e përjashtuar nga akciza në të paktën 22 vende, shumica e të cilave ndodhen në kontinentin e vjetër.

“Taksimi i produkteve jo të shëndetshme krijon popullsi më të shëndetshme. Ka një efekt pozitiv në të gjithë shoqërinë, më pak sëmundje dhe të ardhura për qeveritë për të ofruar shërbime publike. Në rastin e alkoolit, taksat gjithashtu ndihmojnë në parandalimin e dhunës dhe lëndimeve në trafikun rrugor”, tha Dr Rietiger Krech, Drejtor i Promovimit të Shëndetit në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Organizmi ndërkombëtar citoi një studim të vitit 2017 që zbuloi se një rritje prej 50% në çmimet e alkoolit mund të parandalonte më shumë se 21 milionë vdekje dhe të gjeneronte afro 17 trilion dollarë në gjysmë shekulli. Vende si Lituania, e cila rriti taksën e alkoolit në vitin 2017 për të reduktuar konsumin, kanë arritur të reduktojnë vdekjet nga sëmundjet e lidhura me alkoolin. Lituania rriti të ardhurat nga taksat e alkoolit nga 234 milionë euro në 2016 në 323 milionë euro në 2018 dhe u vu re se vdekjet e lidhura me alkoolin, ranë nga 23.4% për 100,000 njerëz në 2016 në 18.1% për 100,000 njerëz në 2018.

Një sondazh i fundit i Gallup, i kryer në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare dhe Bloomberg Philanthropies, zbuloi se shumica e të anketuarve në të gjitha vendet mbështesin rritjen e taksave për produktet e pashëndetshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që akciza duhet të zbatohet për të gjitha pijet joalkoolike dhe pijet alkoolike. Publikimi i manualit të taksës së alkoolit sot pason një sërë manualesh tatimore ekzistuese, duke përfshirë pijet joalkoolike, duhanin dhe sheqerin. Organizata ndërkombëtare po mobilizohet në një përpjekje për të adresuar efektet në shëndetin global, sipas një deklarate të cituar nga Bloomberg.

Rritja e taksave speciale është mënyra më efektive për të reduktuar zakonet e pashëndetshme por edhe për të gjeneruar të ardhura. Në nivel global, rreth 2.6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga konsumimi i tepërt i alkoolit dhe më shumë se tetë milionë vdesin nga dietat e pashëndetshme. Shumica e vendeve, siç theksoi organizata ndërkombëtare, nuk e përdorin siç duhet tatimin si një mjet për të përmirësuar shëndetin publik.

Sipas Bloomberg, taksat më të larta për produkte të caktuara mund të nxisin zhvillimin e produkteve më të shëndetshme, duke parandaluar gjithashtu lëndimet dhe sëmundjet jo të transmetueshme si kanceri dhe sëmundjet e zemrës. Me kalimin e kohës, thekson OBSH, pijet alkoolike janë bërë më të aksesueshme, nga pikëpamja ekonomike, në shumicën e vendeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA