Aktori i mirënjohur i teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi ndërroi jetë sot në moshën 75-vjeçare.
Për vdekjen e Kabashit kanë reaguar në rrjete sociale artistë nga fusha të ndryshme si Çun Lajçi, Ilir Shaqiri, Lorik Cana, Besa Kokëdhima, Xhemi Shehu, Vesa Luma, Filloreta Raçi.
Aktori Çun Lajçi e përkujton me fjalë të ndjera Kabashin.
“Lamtumirë artist! Tash e dy vite ta ndollën vdekjen këta t’gjallët e vdekun, dhe sot tu paska ba boll me ndjellje ligësishë, me art që s’ditën të ta konsumojnë, me jetën e rreme nga të rremit që ndjellin zi!
– Dil andej Mirush, se atje do t’vimë ne që të deshtëm e do ta përfeksionojmë ate grimcë arti që s’arritëm ta ngrehim kurrë n’majen e duhun! Por …Dije, se nga sot e tutje për ty do t’thonë; – ai, po ai ishte i madh, gjeni ishte, yll arti i pashuar!
– Lamtumirë kolegu im, që viteve 98-ta u munduem t’ia zbusim dhimbjën Kosovës – ti me Kosovarin e Mitrushit unë me Plisin e Çunit”, shkruan Lajçi.
Balerini i njohur dhe kryetari i jurisë së Dancing With The Stars, Ilir Shaqiri e cilëson të ndjerin si aktorin e burimeve metafizike nga Gjakova, që dridhi skenat evropiane në 109 koncerte.
“Është këputur frymëmarrja e mushkërive të Sokratit, apologjia e vërtetë e tij; është ndarë nga jeta Mirush Kabashi “Nderi i Kombit”. Artisti i mbi 100 roleve në teatër dhe film. Aktori i burimeve metafizike nga Gjakova, që dridhi skenat evropiane në 109 koncerte “Homazh për Kosovën, 1998”, duke frymëzuar rininë shqiptare që të rreshtohet në formacionet e ushtrisë së lavdishme çlirimtare – UÇK, për lirinë e atdheut. Qoftë kujtimi për ty ashtu siç arti yt – i përjetshëm! Lamtumirë, MJESHTËR!”, shkruan Ilir Shaqiri.
“U prehsh në paqe i mrekullueshmi Mirush Kabashi! Një legjendë, një kolos i teatrit dhe kinematografisë Shqiptare. Një artist me finesë, elegancë, klas të veçantë! Para disa muajsh ndofta edhe një viti, qesh’ në Bllok (Tiranë) në makinë, mbërthyer në një trafik të bezdisshëm. Në krahun e djathtë shquajta Mirush Kabashin, në veshje sportive dhe kapele. Kam një dobësi për moshën e tretë, e një dobësi të shtuar për artistët e vërtetë. Zgjata kokën nga dritarja dhe i flas me zë kumbues; – “Mirush Kabashi je legjendë! Je krenari! Të DUAM!
U kthye nga zëri i habitur por në portret i çeli një emocion i sinqertë dhe i papritur. Më falenderoi, reagoi sikur më njohu, pak rëndësi ka nëse më njohu apo jo. Me rëndësi që i thashë ato fjalë të vërteta, me mirënjohje dhe dashuri, qoftë edhe në një rrethanë të pazakontë! Mirush Kabashi je legjendë! Je krenari! Të duam! U prehsh në paqe! Faleminderit për gjithçka na ke dhënë dhe trashëgiminë kulturore që ke lënë në artin dhe kulturën Shqiptare!”, shkruan Besa Kokëdhima.
Top Channel