Mali i Zi, fillon regjistrimi i popullsisë: Frikë nga përmbysja e strukturës kombëtare!

04/12/2023 09:01

Në mesin e frikës nga përmbysja e strukturës kombëtare të popullsisë vendase, ka nisur në Malin e Zi regjistrimi i shumëpërfolur i popullsisë.

Pas disa shtyrjesh, qeveria dhe opozita arritën më në fund një marrëveshje e cila lejon regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave. Drejtoria e Statistikave e Malit të Zi, Monstat njoftoi se në 15 ditët e ardhshme do të jenë në terren nga ora 08:00 deri ne ora 20:00 rreth 3.000 regjistrues.

Kryeministri  Millojko Spajic deklaroi se regjistrimi është përgatitur me kujdes. “Kemi treguar që Mali i Zi ka institucione funksionale dhe njerëz të përgjegjshëm , të gatshëm të ndërtojnë ura për të ardhmen evropiane ”, u shpreh ai, i cituar nga DË. Partia e tij “Lëvizja Evropa Tani” insiston se regjistrimi “do të ketë legjitimitet të plotë pas hapit të madh që ndërmori qeveria dhe shumica parlamentare duke përmbushur të gjitha kërkesat e opozitës.

Në bazë të ujdisë, opozita do të ketë qasje dhe kontroll më të madh, nga sa ka pasur në regjistrimin e viteve 2003 dhe 2011. Regjistrimi i popullsisë ka qenë prej një kohe të gjatë tema më e nxehtë politike në vend. Procesi mori vëmendje të madhe e shkaktoi përplasje të forta mes grupimeve pro malazeze dhe atyre pro serbe.

Analistët vendas pohuan se nëse serbët do të dalin numerikisht më shumë atëherë, kjo mund të sjellë përmbysjen e strukturës kombëtare të popullsisë në Mal të Zi. Në censusin e 2011-tës, 45% e qytetarëve u deklaruan si malazezë, 29% serbë, 9% boshnjakë, 5% shqiptarë, 3% myslimane dhe 1% kroatë e romë.

Top Channel