Krimet mjedisore të skeduara si vepra penale gjatë vitit 2023 në bashkitë e Gjirokastrës, Libohovës e Dropullit kanë qenë plot 42.

Autorët e implikuar janë qytetarë të këtyre bashkive që kanë shkaktuar dëme në mjedis që nga zjarrvëniet e paligjshme, tek ndërtimet pa leje në territore të mbrojtura, shpërdorim të tokës, dëmtim të specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër, pushtim të tokës, gjueti të paligjshme dhe vepra të tjera me ndikim degradues në mjedisin natyror dhe prishje të balancave të biodiversitetit.

Komisar Elvis Peza që drejton komisariatin e Gjirokastrës tregon se kjo natyrë veprash penale ka qenë më në fokus krahasimisht me vitet e kaluara dhe se procedimi penal i autorëve ka sjellë më pak dëme në mjedis.

“Një fokus i veçantë në punën tonë i është dhënë territorit sepse kemi specifikë zonat e mbrojtura, që nga zona muzeale në qytet, parqet natyrorë, lumenjtë që janë futur së fundi në zona të mbrojtura dhe çdo ditë në territor fokusohet puna e çdo punonjësi policie në funksion të tendencave të krimeve mjedisore. Fokus i veçantë sivjet ishte pjesa e zjarreve. Ne kemi evidentuar 6 raste të zjarreve për të cilat janë referuar materialet në prokurori e po vazhdojnë hetimet. Krahasimisht me vitin e kaluar kemi situatë më të mirë këtë vit”, tha Peza.

Gjithashtu policia ka sekuestruar në flagrancë qindra armë gjahu pa leje kryesisht në territore të thella të qarkut. Moratoriumi për gjuetinë që po vijon prej vitesh nuk ja ka dalë ta ndalë atë por situata duket gjithsesi më e mirë se disa vite më parë kur specie të tilla si ariu, kaprolli, dhia e egër dhe disa lloje shpendësh po kërcënoheshin me zhdukje.

“Kemi pasur raste kur janë evidentuar persona në territor për gjueti të paligjshme. Në rastet konkrete nga ana jonë është bllokuar arma e gjahut në mënyrë administrative pasi vepra penale konsumohet në ato raste kur gjendet gjahu. Megjithatë kemi shumë raste që të ndaluarve ju është hequr e drejta për të mbajtur armë gjahu”, shtoi Peza.

Qarku i Gjirokastrës ka humbur prej prerjeve dhe zjarreve 2/3 e pyjeve përgjatë tri dekadave të fundit. Bashkë me të ka degraduar habitati e specieve duke bërë që shumë shpendë dhe gjitarë të bëhen pjesë e Librit të Kuq të specieve që kërcënohen me zhdukje. Rajoni është përfshirë prej rrëshqitjeve masive të dheut duke kërcënuar banesa ndërsa përmbytjet janë fenomene të përhershme çdo vit në zonat e ulëta të luginës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA