Pas triumfit në zgjedhjet e përgjithshme në Holandë, populisti i djathtë Geert Wilders ka nisur kërkimin e vështirë për partnerë koalicioni.

Me 37 nga gjithsej 150 vende në parlament, ai ndoshta është befasuar dhe vetë që partia e Partia e tij për Liri arriti të dyfishonte votat krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Por që të arrijë të marrë shumicën, atij i nevojiten të paktën dy partnerë koalicioni dhe nuk dihet nëse do të arrijë t`i gjejë. Fitorja shokuese e 60-vjeçarit me bindje të qarta anti-islamike ndërkohë ka ngjallur frikë tek komuniteti mysliman dhe liderët politikë që i druhen ideve të tij.

I përshkruar si Trumpi holandez, Wildersi është në një pozicion të favorshëm për bisedimet e ardhshme të koalicionit, sepse i drejton ai përpjekjet e ndërtimit të koalicionit qeverisës. Megjithatë, euroskeptikut i është bërë tashmë e qartë nga kryetarët e partive të tjera se nuk do të ketë “një Nexit”, siç dëshiron ai, dhe se anëtarësimi i Holandës në Bashkimin Europian është ‘i panegociueshëm’.

Deri tani, gjasat janë që lëvizja Fermer-Qytetar ta pranojë ofertën e tij, Omtzigt më tepër anon tek Jo-ja, ndërsa kryetarja e listës VVD, Dilan Yesilgöz, ka siguruar gjatë fushatës elektorale se nuk do të ishte pjesë e një kabineti në të cilin Wilders do të jetë kryeministër.

Top Channel