Samiti i III i Diasporës/ Rama mirëpret përfaqësuesit e trojeve shqiptare: Mirëseerdhët në Tiranë, në agim të 111-vjetorit Pavarësisë

23/11/2023 11:46

Kryeministri Edi Rama në marrjen e fjalës në Samitin e III të Diasporës u ka uruar mirëseardhjen Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe përfaqësuesve të lartë të Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Preshevës në Tiranë në këtë përvjetor unik të pavarësisë së Shqipërisë.

Rama tha se “lidhja dhe ndërveprimi me Diasporën është rruga për të fuqizuar përpjekjen e përbashkët dhe besimin se së bashku, ne mund të arrijmë t’i ngremë Shqipërinë dhe shqiptarët aty ku nuk kanë qenë kurrë ndonjëherë.”

“111-ta thonë se është një numër unik në llojin e vet. Besëtytnitë dhe gojëdhënat flasin se tre njëshat të vënë së bashku simbolizojnë fuqinë transformuese të mendimit. Për të tjerë 111 është numri i engjëjve apo shifra e perfeksionit të universit dhe pavarësisht kontekstit kur tre njëshat bëhen bashkë në kalendar apo në ëndrra, të parët këshillonin meditim dhe përqendrim tek emocionet pozitive sepse ata mendonin se tre njëshat që i shfaqen njeriut apo njerëzve përpara, janë sinjali i një momenti historik që ka ardhur për jetën individuale apo për jetën kolektive.

Me këtë ogur të mirë unë kam kënaqësinë e madhe që t’ju them të gjithëve dhe në mënyrë të posaçme presidentes së Republikës së Kosovës, përfaqësuesve të lartë të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, në komunën e Preshevës mirë se vini sërish në Tiranë në Samitin e Tretë të Diasporës, në agim të 111 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë!

Dhe përtej simbolikës ky takim dy ditor vjen edhe me vetëdijen e plotë se në punimet e samitit të cilat zhvillohen intensivisht jashtë këtyre seancave të mëdha plenare, na është besuar mundësia që të komunikojmë së bashku për të shkruar një tjetër faqe të re për Shqipërinë dhe për shqiptarët.

Samiti është një udhëkryq ku bashkohen të gjithë pavarësisht bindjeve apo përkatësive politike, përtej të gjitha përkatësive krahinore dhe vendndodhjes së secilit si shqiptarë që kanë diçka për të thënë, kanë diçka për të dhënë për mënyrën sesi duhet t’i qasemi sfidave të botës ku jetojmë, e cila pa diskutim ndikon vendet ku ne jemi dhe njëkohësisht si të bashkojmë më mirë forcat për t’ia dalë në realizimin e ambicieve legjitime dhe të objektivave të përbashkëta.

Patjetër që nuk mund ta lë pa përmendur se ky samit ndodh pak ditë pasi njëshat e Shqipërisë, njëshat e Kosovës, njëshat e Maqedonisë së Veriut së bashku në një skuadër jo vetëm e çuan Shqipërinë në Europë në kuptimin e plotë të fjalës, por dhe na ri treguan edhe një herë se çfarë mund të bëjmë kur bashkojmë talentet, bashkojmë vullnetet, bashkojmë forcat dhe mbi të gjitha kemi një strategji dhe një qëllim për të fituar sepse së bashku asnjë objektiv, sado ambicioz që të jetë, nuk është i paarritshëm. Asnjë ëndërr nuk është e pamundur nëse ne jemi të vendosur që të bëjmë të pamundurën tonë për ta realizuar atë ëndërr dhe nëse ka një mësim të madh që të gjithë mund të marrim në të gjitha nivelet, individualisht apo kolektivisht nga të gjithë ata emra që na bëjnë ne krenar si shqiptarë sepse përmenden me shumë admirim, me shume respekt në një botë shumë më të madhe sesa bota jonë e vogël, është mësimi se të gjithë ata kanë pasur një ëndërr shumë më të madhe sesa çfarë mundësitë e tyre mund tua këshillonin dhe e kanë bërë realitet.

Mira Murati, Dua Lipa, Mira Mezini, Anri Sala, Altin Kadareja, Ermonela Jaho, Rita Ora, Igli Tare, Lorik Cana e me radhë, janë emra të cilët kanë rrugë të ndryshme dhe kanë arritur në maja të ndryshme të botës, por të përbashkët kanë fuqinë për t’i shkuar deri në fund me çdo çmim realizimit të ëndrrës së tyre. Këta janë ata që ne njohim, por sa janë të panjohurit të cilët në jetën e tyre kanë bërë të mundur atë që mundësitë e tyre nuk ua këshillonin që ta kërkonin sepse ishte e pamundur. Dhe nëse ka një mësim nga gjithë suksesi i shqiptarëve në Diasporë, nga sukseset individuale të shqiptareve është mësimi se asnjë ëndërr sado e madhe kur njerëzit e shohin me sy hapur nuk është e paarritshme përderisa  e shohin, por sa njerëzit janë të gatshëm që ta synojnë ta arrijnë dhe të paguajnë të gjitha kostot e asaj përpjekje, të ngrihen nga të gjitha rrëzimet në atë ngjitje, t’i rezistojnë të gjitha lodhjeve dhe zhgënjimeve në atë rrugë. Kjo e bën dallimin”– tha Rama.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA