Në edicionin e tretë të Samitit të Diasporës të mbajtur në Tiranë, ka qenë pjesëmarrës Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili është shprehur se me dituri dhe mençuri, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi janë shumë afër anëtarësimit në BE dhe se duhet punuar me shumë përkushtim.
Duke ju drejtuar kryeministrit Rama, ai u shpreh se duhet ta ngrejë edhe më shumë zërin sesa e ka ngritur deri më tani dhe se të gjithë do i ketë në krah.
“Luftërat i fituam politikisht e ushtarakisht dhe diplomatikisht, dhe sot kemi një luftë të re edhe më të fortë, ti bëjmë të begatë atdheun tonë. Të organizohemi më shumë sesa jemi të organizuar dhe këtë mundësi mërgata e ka. Të gjithë të përkushtohemi, të gjithë të rinjtë të kapin diturinë në universitetet e Amerikës dhe Europës e të kthehen kokë plot në atdheun e tyre. Sot me dituri dhe mençuri, vendet tona mund t’i kemi së shpejti anëtare në BE, siç jemi sot në NATO. Europa nuk mund të jetë e qetë pa Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi. Djepi i Europës është Mesdheu dhe vendin tonë e kemi aty. Me përkushtim duhet punuar dhe asnjë gjë e parealizueshme nuk mund të jetë. I dashur Edi ne jemi një hap para anëtarësimit dhe pak duhet që edhe më fort të ngresh zërin, ne të tjerët nuk na ke pas, por na ke në krah, do doja t’ju uroj shëndet të gjithë juve, të rrojë populli Shqiptar”, u shpreh Ali Ahmeti.
Top Channel