“Ujërat na shkatërruan gjithçka,” thotë Fatuma Hassan Gumo, duke qëndruar para shtëpisë së saj të përmbytur në Garissa, zona keniane në kufi me Somalinë.
Zona e Bririt të Afrikës sapo doli nga periudha e thatësirave që kishin lënë miliona njerëz të uritur, por tani duhet të përballen me përmbytje nga shirat e rëndë qe kane shkatërruar rrugë e mjete jetese, duke detyruar njerëzit të zhvendosen në masë të madhe.
Përmbytjet e papritura nga lumi Tana detyruan 42 vjecaren Fatuma Hassan Gumo të largohet natën nga shtëpia e saj në ujë, drejt vendit më të afërt me tokë, së bashku me familjen e saj prej 12 personash, shtatë prej të cilëve fëmijë.
Ata janë mes mijëra njerëzve që kanë mbetur të pastrehë dhe në mes të rrugëve pas shirave të tërbueshëm që kanë rënë thuajse në të gjithë Kenian, duke vrarë të paktën 70 njerëz.
Gumo mbështillet me shaminë e lagur të kokës teksa thotë për rrjetin AFP se i trembet sëmundjeve nga përmbytja e tualeteve të improvizuara vendore. “Jeta ime është në gjendje të keqe tani”, thotë gruaja.
Një kamp është improvizuar për të zhvendosurit në një magazinë në Garissa, ku Mwana Juma Hassan qëndron e trishtuar jashtë tendës së saj të bardhë.
“Nuk e dimë nëse do të hamë ndonjëherë bukë,” thotë 37-vjeçarja e ve, duke shtuar se përmbytja i mori parcelën e saj të shalqinjve që ishin të vetmet të ardhura për të.
Hassan thotë se bashkë me të bijën do të kthehen në shtëpi pas tërheqjes së ujërave, pasi në kamp tremben se do të vdesin nga uria.
Rreth 500 njerëz këtu duhet të mbijetonin në katër netë shira të pandalur, duke fjetur në rroba të lagura, derisa të vinin tenda nga Kryqi i Kuq Kenian, thotë thurrësja 60 vjeçare Amina Duke Gabuku.
Zyrtari vendas Mohamed Dubow, tha për AFP se situata në Garissa mund të kthehet në katastrofë nëse shirat vazhdojnë dhe dy apo tre ditë.
Ai shton se 200,000 do të preken nga përmbytjet teksa lumi Tana është rreth tre mitra mbi nivelet normale.
Top Channel