Këngëtari i mirënjohur Stefi Prifti ka ardhur me një rrëfim zemre në “S’e luan Topi”, ku si asnjëherë më parë, ka folur për familjen, divorcin e prindërve, mungesën e babait, humbjen e bashkëshortes dhe emigracionin.
I ndalur tek emigracioni në periudhën e vështirë të 1991-shit, Stefi tha se kur emigroi në Greqi, si të gjithë shqiptarët edhe ai u detyrua të bënte punë të vështira për të mbijetuar, sikurse ishte mbledhja e domateve.
Megjithatë, aty do të ndodhnin disa episode që do të nguliteshin thellë në kujtesën e artistit si momentet e para apo fija e fatit, sikurse thotë ai, që shtruan rrugën (ato hapat e parë) të dekadave karrierë artistike.
Pjesë nga biseda:
Erjona: Vijmë pak te periudha e emigracionit, si ishte ajo periudhë për ju?
Stefi: Emigracioni, momenti i parë ishte edhe i çuditshëm dhe i vështirë. Ndonjëherë duhet edhe një fije fati dhe Endrin e kishim përciellë pak muaj më parë. Endri kishte 6 muaj, ose më mirë të themi 5 sepse 1 muaj ndenji te kushërirat e mamasë si turist dhe e mbajtën ato në pëllëmbë të dorës. Më pas ne iu lutëm atyre që t’i gjenin një punë sepse bëhej fjalë për në 1991-shin. Dhe Endri kishte 5 muaj që punonte punë të ndryshme, punë krahu, çfarë t’i dilte para për të jetuar.
Në momentin që shkova unë, edhe unë po ti bëshë bashkë të gjitha punët e mija, punova dy javë. Mund t’ju bëjë për të qeshur, por unë kam mbledhur domate dy herë dhe atë mbaj mend si punën fizike më të vështirë që kam bërë si burr në Greqi. Ishte një punë që nuk e bënin burrat por gratë.
Në një moment të caktuar bëheshin fejesa te këto kushërirat tona dhe vjen ai kumbari dhe thotë në greqisht, hajde Andrea ku i kini ato, se na ke thënë vëllai ka mbaruar universitet dhe është këngëtar, hajde sot është dita. Dhe Endri i ktheu një përgjigje me të tallur, siç e ka Endri kur ja shkrep nonjëherë. Dhe i them unë çfarë të tha dhe më tregon. I them po mirë dhe ma kthen “po ik ore se për ata … do këndojmë ne”, dmth me një fjalë fyese. Jo, i thash, tani direkt do të marrim instrumentat dhe do të vemi te shtëpia. Se Endri kishte blerë një kitare akustike në një pazar rus me rrogën e parë që kishte marrë, ndërsa unë kisha një violinë. Dhe shkuam.
Erjona: Po çfarë kënduat?
Stefi: Ne aty? E gjithë festa u orjentua nga ne. Dhe kjo ishte pika e lidhjes. Endri kishte një mjeshtër që punonte me llaç e tulla, pra ishte një çirak domethënë. Dhe ky vjen të nesërmen për ta marrë se fillonin punë në orën 7, kur ne ramë për të fjetur në 6. Vjen i bie bories dhe Endri që ja bën “boo bo, tani që do shtrihesha”. Del Endri dhe ai me lot në sy i thotë “më fal që nuk u kam besuar që jeni artist. Ngrehuni ikni që këtej. Këtu është provincë, është fshat. Shkoni në Athinë, në Selanik.” Domethënë me lot në sy ky njeriu. Ajo ishte fija e fatit domethënë për rrugën tonë si artist.
Top Channel