Shqipëria është vënë në garë me disa vende të Bashkimit Europian si Italia, Belgjika dhe Britania e Madhe për të ekstraduar narko-bosin, Dritan Rexhepin.

Top Channel pyeti ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja se në çfarë faze është ky proces.

Ulsi Manja: Është një proces që tashmë ne tashmë e kemi nisur bashkë edhe me Prokurorinë e Posaçme dhe normalisht për rastin konkret si dhe të gjitha rastet e tjera ne kemi bërë gati gjithë praktikën dhe do tua nisim shumë shpejt autoriteteve Turke.

Muhamend Veliu: Kur thoni shumë shpejt kurë?

Ulsi Manja: Besoj nga fillimi javës.

Muhamed Veliu: Zoti ministër, jeni në një garë me disa vende të BE-s të cilat kërkojnë ekstradimin e Dritan Rexhepit. Si do ta fitoni këtë garë për ta patur me sukses Shqipëria këtë ekstradim?

Ulsi Manja: Dritan Rexhepi është shtetas shqiptarë. Shqipëria natyrisht do të bëjë të gjitha përpjekjet që ai të ekstradohet në Shqipëri ku ka edhe një proces ku është në hetim dhe gjykim. Kështu që ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të jemi ne që do ta ekstradojmë Dritan Rexhepin.

Muhamend Veliu: Keni disavantazhe në këtë proces?

Ulsi Manja: Nuk dua të flas më tepër për këtë proces sepse është një marrëdhënie që ne e kemi me autoritetet turke të drejtësisë. Ministria e drejtësisë në rastin konkret bën vetëm rrolin e ndërmjetësit mes dy autoriteteve tona gjyqësore. Dokumentacioni që ka mbërritur në ministri është i plotë dhe shumë shpejt do tia nisim autoriteteve turke të drejtësisë.

Mëngjesi i 10 Nëntorit e gjeti bosin e narkotrafikut shqiptarë Dritan Rexhepi të prangosur në një vilë në Turqi vend në të cilin ai kishte hyrë përmes një pasaporte kolumbiane të falsifikuar.

Në Shqipëri Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar 2020.

I konsideruar si mjeshtri i arratisjeve nga burgjet shqiptare, italiane dhe belge, Dritan Rexhepi në  mars 2006, u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.

Ndërkohë Prokuroria pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përcjellë në Ministrinë e Drejtësisë dokumentacion me qëllim paraqitjen e kërkesës për ekstradim nga Turqia në Shqipëri të Dritan Rexhepaj.

Rexhepaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar në janar 2014 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në kuadër të ekzekutimit të një vendimi të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që e ka shpallur atë  fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryer në bashkëpunim, “vrasjes me dashje”, të kryer në bashkëpunim, dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, të parashikuara nga nenet 79/c-25, 76-25 dhe 278/2 të Kodit Penal.

 

Top Channel