Moldavi-Shqipëri do të gjykohet nga arbitra skocezë. Kombëtarja kuqezi kërkon kualifikimin në Euro 2024 sot në Kishinjev, teksa mjafton edhe një barazim për të nisur festën e madhe.
Dueli i grupit E të eliminatoreve të Gjermani 2024, është programuar të zhvillohet në Stadionul Zimbru prej orës 18:00. Përballje që do të transmetohet në SuperSport 2.
Kryesori i takimit është përzgjedhur Willie Collum. 44-vjeçari nga Glasgow do të ketë ndihmës Francis Connor dhe David McGeachie. Ndërkohë që arbitër i katërt do të jetë Kevin Clancy.
Collum ka arbitruar Shqipërinë edhe më parë. Skocezi gjykoi sfidën e fazës së grupeve në Euro 1016 mes Francës dhe kuqezinjve.
Dueli që u zhvillua në “Velodrome”, Marseille, përfundoi 2-0 për vendasit, të cilët atë verë u shpallën nënkampionë Europe. Skuadra e De Biasit zhvillonte një ndeshje të madhe, teksa dorëzohej vetëm në minutat e fundit kundër “armatës” së Deschamps.
Në atë takim, Collum nxori 3 herë kartonin e verdhë. Duke ndëshkuar Ngolo Kante të vendasve dhe Burim Kukelin e Amir Abrashin nga kampi shqiptar./SiperSport
Top Channel