Universitet publike shpenzojnë miliona euro për llaç, tulla, kangjella, mure dhe rrethime dhe 0 shpenzime për kërkime shkencore, libra dhe pasurim bibliotekash.
Kjo është një nga gjetjet kryesore të monitorimit financiar, që kryhet prej 4 vitesh tashmë nga Qëndresa Qytetare, në 7 universitete publike të vendit.
Kolindo Vjerdha nga Qëndresa Qytetare thotë: “Rreth 800 mijë euro janë shpenzuar nga Universiteti i Tiranës për rikonstruksion biblioteke, dhe po nga ky universitet janë shpenzuar mbi 280 mijë euro për muret rrethuese.
Lingotat e arit simbolizojnë rreth 45 mijë euro që Universiteti i Tiranës ka shpenzuar për ar dhe argjend. Megjithëse kërkuam kontratën se cili është qëllimi i kësaj blerje, ky institucion nuk paraqiti asnjë të tillë.
Zinxhirët dhe dryni kanë lidhje me atë që ne ndër vite e kemi përmendur që shpenzimi kryesor që universitet bëjnë dhe që janë rreth 2.4 milionë euro që ato shpenzojnë për sigurinë e godinave, por jo për kërkimin shkencor.
Këtu kemi një sfungjer dhe një shishe detergjent. Pavarësisht faktit që kontratat nuk na janë paraqitur, me llogaritë e bëra referuar çmimeve të tregut rezulton se Universiteti i Tiranës ka shpenzuar rreth 70 detergjentë në një ditë. Po ky universitet ka shpenzuar 160 mijë euro për blerjen e letrave A4. I bie që shpenzohen 22 mijë fletë A4 në ditë, kur dihet që studentët gjithçka e printojnë jashtë universitetit.
Universiteti I Tiranës për 65 vjetorin e krijimit të tij ka shpenzuar 60 mijë euro për ceremoninë dhe organizimin e saj.
Kuti boje dhe furça i përkojnë Universitetit të Mjekësisë së Tiranës që ka shpenzuar mbi 87 mijë euro për lyerje godine, ndërkohë që studentët vazhdimisht kanë protestuar edhe për kushtet ku ndodhen godinat, laboratorët etj….
Universiteti Politeknik i Tiranës ka shpenzuar 295 mijë euro për kompjutera, një investim që nuk është bërë i prekshëm për studentët.
Dhe në fund veçojmë përsëri Universitetin e Tiranës që ka shpenzuar gati 32 mijë euro për rrethimin e Kopshtit Botanik me kangjella.”
Top Channel