Gjykata Kushtetuese ka pezulluar ligjin për studentët e  Mjekësisë, i cili i detyron ata të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, ose në të kundërt studentët që e refuzojnë këtë ligj duhet të paguajnë 240 mijë lekë në vit.

Ky pezullim erdhi pas kërkesës nga një grup i deputetëve të opozitës, që i erdhën në ndihmë studentëve, të cilët që prej fillimit të vitit akademik kanë vijuar me protesta.

Gjyqtarët u mblodhën këtë të martë duke vendosur shqyrtimin e çështjes në themel. Më tej do të ketë një vendim të plotë nëse ligji do të mbetet në fuqi apo do të rrëzohet. Pezullimi është bërë derisa gjykata të shprehet për ligjin në tërësi.

Me në krye Gazment Bardhin, deputetët paraqitën kërkesën Gjykatës Kushtetuese duke i bërë thirrje qeverisë që që të dëgjojë zërin dhe shqetësimin e studentëve dhe t’i japë zgjidhje kërkesave të tyre.

Në fund të muajit të kaluar studentët e Mjekësisë i janë drejtuar me një kërkesë edhe rektorit të UMT-së, Arben Gjatës që të kenë përkrahjen e Universitetit për protestën e tyre dhe bojkoti që vijon prej tre javësh. Pas përgjigjes pozitive ata janë kthyer në auditore, pas bojkoteve e marshimeve.

Çdo student i mjekësisë që nuk përmbushte detyrimin ligjor, për të ofruar shërbim shëndetësor nga 3 deri në 5 vite në vendin e tij, do të duhet të paguante një tarifë prej 240 mijë lekë të reja për çdo vit studimi. Nëse një vit studimi ka kosto 240 mijë lekë, për 6 vite studentët duhet të paguanin 1.440.000 lekë.

Top Channel