Në vitin 2020, Bashkia e Lezhës bëri tender për Ujësjellësin në Njësinë Zejmen.

U akordua një shumë prej 2.5 milionë eurosh dhe duhet të përfundonte në fund të 2021-shit. Por nga vëzhgimi i Fiks Fare rezultoi se Ujësjellësi i ri ka filluar të shkatërrohet, me tubacione të çara, godina të shkatërruara dhe prishje të pompave. Bashkia dhe Ujësjellësi i Lezhës pranojnë problemet e mëdha, teksa justifikohen se “ende s’e kemi marrë në dorëzim”. Faji, sipas tyre, ishte i COVID-it!

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën disa video në lidhje me ujësjellësin e fshatit Tresh. Në video duket një pompë e ujësjellësit e shkatërruar. Godina pa mbulesë dhe rrethim. “Shiko si e kanë bërë këtë ujësjellës, vetëm për të vjedhur paratë. Janë hedhur shumë dhe punime të dobëta” pohojnë banorët.

Denoncimi i qytetarëve ishte me video, teksa një grup i Fiksit udhëtoi në atë fshat për të parë nga afër këtë problematikë. “Ne videot i bëmë disa ditë më parë. Jemi njoftuar se këtu është bërë një aksident. Erdhëm dhe pamë që ishte vrarë. Ishte hedhur beton i varfër, pa zgarë dhe pa asnjë gjë. Pa rrethim, pa llamarina. Aty janë hedhur fonde. Ujësjellësi është bërë para disa muajsh. E kanë bërë disa herë dhe aktualisht nuk merret në dorëzim. E lënë për efekt të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë për ata, jo për ne. As andej dhe as këtej”- pohon një banor.

Një tjetër thotë se kanë konstatuar shembjen e dyshemesë të Ujësjellësit. “Është bërë një shpim i ri, pus i ri. Duhet të jetë funksional. Është bërë jashtë çdo lloj kriteri, duke vjedhur ato fonde. Kanë bërë një shtresë me pak centimetra beton. Deri sa ka bërë aksident punëtori. Pas aksidentit, erdhën për të mbuluar këto defekte” shtuan banorët.

Në atë vend, ishin hedhur disa inerte jashtë dhe brenda godinës. “Objekti është ky këtu, këto janë pompa. Ky objekt është ndërtuar para 1 viti. Për firmën s’e dimë, se këtu kanë punuar njerëz amatorë. Kanë punuar punë pa dokumente. Ne nuk dimë as fondin dhe asnjë të dhënë më tepër”- pohojnë ata, teksa tentojnë të hapin edhe godinën, e cila ishte e lidhur me tel. “Ja firma e ka lidhur me tel. Çfarë firme është kjo?! Të gjejnë ndonjë tel të fortë ta vendosin. Ja teli, ja ‘nusja jonë’. Gropën e kanë mbuluar me zaje të mëdhenj. Këtu ka qenë gropë e madhe. Poshtë është çarë, se është pusi poshtë”- tregojnë ata, teksa thonë se disa punëtorë të firmës kanë çuar zhavorr për të mbuluar shembjen. “Ka ardhur përgjegjësi i Komunës dhe i ka thënë s’e marrë në dorëzim. Është hedhur lekë i madh këtu. Mund të jetë 3 milionë euro”- pohon ai.

Pas kësaj problematike, grupi i Fiks Fare shkon në brendësi të fshatit për të parë punimet. Gazetarët bisedojnë me një banore 75-vjeçare, e cila thotë se uji herë shkon dhe herë nuk shkon. “Ujë të pijshëm ne s’kemi. Lekët i paguaj gjithë muajin. 100 mijë lekë pension marr, paguaj ujë, drita e gjithçka tjetër. Ujin e kanë sjellë në verë. Herë vjen i turbullt, herë s’vjen fare. Në korrik e gusht s’kemi pasur të lajmë rrobat. Të ketë kontroll të fortë. Kush e ka bërë këtë të ketë përgjegjësi”- thotë ajo.

Fiksi shkon edhe në një shtëpi të braktisur. “Problemi është se te kjo shtëpia e braktisur s’kanë vendosur fare sahat. Kushdo mund ta hapë ujin. Tjetri mund ta shfrytëzojë. Janë bërë punime pa asnjë specialistë por vetëm me militantë”- pohon një banor, i cili hap ujin nga kutia e shpërndarjes, po s’ka asnjë matës! “Si kjo këtu mund të ketë me qindra që s’kanë fare sahat”- thotë ai, teksa banorët dërguan disa video të tjera ku duken tubacione të çara në gjithë fshatin. Madje, në një video duket se në pikun e verës, në gusht, atë zonë s’ka pasur ujë!

Fiks Fare ka mësuar se tenderi për këtë Ujësjellës është bërë në datën 8 qershor 2020. Sipas një dokumenti, Bashkia e Lezhës ka hapur procedurën me objekt “ndërtimi i ujësjellësit në fshatrat Pllane, Zejmen, Markatomaj, Spiten, Tresh, Njësia Administrative Zejmen”. Në tender kanë marrë pjesë 3 firma, por 2 prej tyre kanë pasur ofertë 0. Pra, ka qenë një garë fiktive. Fitues ka dalë bashkimi i operatorëve ekonomikë “Shëndelli”, “G.P.G Company” dhe “Ngs” me fond 247 milionë lekë.

Në një dokument tjetër shkruhet se fondi për këtë tender ka qenë 249 milionë lekë. Pra, fituesi ka marrë pothuajse të gjithë fondin limit. Ndërkohë, në pikën 6 shkruhet se kohëzgjatja e kontratës ishte 18 muaj. Kontrata është lidhur në muajin qershor 2020 dhe sipas afatit, punimet duhet të përfundonin në fund të vitit 2021. Por, megjithë këto probleme që konstatoi Fiksi, a e ka marrë në dorëzim Bashkia e Lezhës?

“Gjatë zbatimit të kësaj vepre janë hasur një sërë problematikash. Gjatë periudhës së zbatimit të punimeve, Shqipëria ka qenë nën ndikimin e pandemisë globale Covid 19. Për shkak të kufizimeve, sipërmarrësi ka hasur problematikë me organizimin e stafit, duke i krijuar pengesa në punë. Po ashtu, gjatë zbatimit të punimeve ka lindur nevoja për një rishikim të projektit dhe ndryshim të pozicionimit së një depoje të re. Janë hasur problematika në veprat e marrjes së ujit, problematika në çështjet e pronësisë, në rritjen e fuqisë së transformatorëve. Për këto arsye, sipërmarrësi është aktualisht në fazën e testimit të veprave të marrjes së ujit, makinerive dhe si rrjedhojë investimi nuk është marrë në dorëzim akoma nga Bashkia e Lezhës. Sapo të përmbyllet kjo fazë dhe riparimi i defekteve, do të vijohet me procedurat e marrjes në dorëzim të përkohshëm të kësaj vepre”- thotë Bashkia e Lezhës.

Më tej pohon se për plasje tubacionesh dhe problematikave në lidhje me pusin në afërsi të fshatit Tresh, “ju bëjmë me dije se gjatë zbatimit të punimeve kantieri i punimeve administrohet tërësisht nga Sipërmarrësi, i cili është përgjegjës për kantierin”. Bashkia e Lezhës shkruan se ka parashikuar edhe mbajtjen e garancisë për një afat të caktuar nga marrja në dorëzim e punimeve. “Lidhur me pyetjen për procedura tenderuese për ujësjellës para vitit 2020, ju bëjmë me dije se investimet e fundit për Ujësjellësin e fshatit Tresh apo Njësisë Zejmen janë bërë në vitet e mëparshme nga ish komuna e Zejmenit”– përfundon përgjigjja nga Bashkia e Lezhës.

Ndërkohë, në redaksinë e Fiks Fare mbërriti edhe një përgjigje nga Ujësjellësi i Lezhës. Ja se çfarë thotë; “Ndërtimi i Ujësjellësit nuk ka përfunduar dhe nuk është marrë në dorëzim. Pusi që ju citoni, i hapur rishtazi në fushat e fshatit Tresh në drejtim të autostradës, është kryer gjatë ndërtimit të Ujësjellësit të Ri, i cili nuk ka përfunduar. Ky pus ende nuk është në inventarin e Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime, Lezhë”.

Pra, të dyja institucionet pranuan se ka gabime të mëdha në këtë ujësjellës. Nga njëra anë punime të dobëta, tubacione që çahen apo edhe vepra të mëdha, pompa uji, me godina të shkatërruara. Për pasojë, i gjithë projekti me një vlerë 2.5 milionë euro është ende në ajër dhe ata që e vuajnë me tepër janë banorët e kësaj zone.

***

FOTO GALERI
1/6

Top Channel