Në masa të rrepta sigurie ka mbërritur në Gjykatën e Fierit Elmir Tufa, i akuzuar për vrasjen e Shkëlzen Kastrati në muajin shkurt të 2021.

Elmir Tufa ka qenë në kërkim prej më shumë se dy vitesh për vrasjen me paramendim të biznesmenit Shkëlzen Kastrati, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur ditën e djeshme gjatë operacionit të koduar “Lokalizimi”. Më herët Gjykata e Fierit ka vendosur masën e sigurimit ‘arrest në mungesë”, ndërsa sot do zhvillohet kërkesa me objekt “Verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit”, ndaj shtetasit Elmir Tufa.

Në pranga për vrasjen e Shkëlzen Kastratit është edhe Albert Zaja, i cili u kap nga forcat Renea në Fushë-Krujë në prill të vitit 2021. Ndërkohë, në kërkim për ngjarjen janë Elson Xhecuka e Roland Cara, të cilët dyshohen se janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë, Kastrati u ekzekutua me dy plumba, njërin prej tyre në kokë, paraditen e 1 shkurtit, në hyrje te qytetit brenda makinës së tij.

Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, teksa po vinte nga ky drejtim me automjetin e tij tip “Mercedez Benz”, ndërsa autorët po e ndiqnin me një automjet tip “Range Rover”, nga edhe ku e qëlluan.

Viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Viktima humbi jetën menjëherë pas atentatit.

Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në bypassin e Fierit, policia gjeti të djegur mjetin tip “Range Rover”. Grupi hetimor, brenda këtij mjeti, gjeti edhe armën tip automatik, me të cilën dyshohet se u krye ekzekutimi i Kastratit.

Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi.

Tufa dyshohet se bashkëpunoi edhe me tre persona të tjerë.

Albert Zaja u arrestua në mars të 2021-shit në fshatin Larushk të Krujës, ndërsa ende në kërkim janë Elson Xhecuka, 29 vjeç, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland Cara 41 vjeç, banues në Tiranë.

Top Channel