Në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit/ Arrestohet në Fushë-Krujë Elmir Tufa, momenti kur policia e shtrin përtokë

02/11/2023 16:56

Elmir Tufa, i shpallur në kërkim për vrasjen e Shkëlzen Kastratit në 1 shkurt të vitit 2021 është arrestesuar në Fushë-Krujë.

31-vjeçari ra në prangat e policisë gjatë operacionit të koduar “Lokalizimi”, pasi Gjykata e Fierit i caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim” për vrasjen e Kastratit.

“Si rezultat i këtij operacioni, në aksin rrugor Fushë Krujë-Vorë, ditën e sotme, është lokalizuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasi E. T., 31 vjeç, banues në Tiranë.. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, pasi ka vrarë me armë zjarri shtetasin Sh. K. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, sipas policisë.

Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në rrethrrotullimin në hyrje të Fierit, teksa po vinte nga ky drejtim me automjetin e tij tip “Mercedez Benz”, ndërsa autorët po e ndiqnin me një automjet tip “Range Rover”, nga edhe ku e qëlluan.

Viktima humbi kontrollin e makinës dhe u përplas me një tjetër automjet në këtë rrugë, në të cilën ndodheshin babë e bijë, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Viktima humbi jetën menjëherë pas atentatit.

Autorët u larguan nga vendi i ngjarjes dhe disa minuta më pas, në mbikalimin e fshatit Baltëz, në bypassin e Fierit, policia gjeti të djegur mjetin tip “Range Rover”. Grupi hetimor, brenda këtij mjeti, gjeti edhe armën tip automatik, me të cilën dyshohet se u krye ekzekutimi i Kastratit.

Ekzekutimi i Shkëlzen Kastratit, dyshohet së është vazhdimi i vrasjes së ndodhur në vitin 2016 në Fier, ku shënjestër ishte Klement Kastrati, vëllai i viktimës. Shënjestra bashkë me një tjetër person mbetën të plagosur, ndërsa u vra një shtetas nga Patosi.

Tufa dyshohet se bashkëpunoi edhe me tre persona të tjerë.

Albert Zaja u arrestua në mars të 2021-shit në fshatin Larushk të Krujës, ndërsa ende në kërkim janë Elson Xhecuka, 29 vjeç, banues në Kamëz dhe Silvio alias Roland Cara 41 vjeç, banues në Tiranë.

FOTO GALERI
1/10
Pamje nga vendi i vrasjes

Top Channel