Ish-kreu i Burgjeve i drejtohet Gjykatës së Lartë, Artur Zoto kërkon më shumë dëmshpërblim për burgosjen e padrejtë

13/11/2026 15:19

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, duke kërkuar dëmshpërblim për periudhën që qëndroi në paraburgim, pasi u shpall i pafajshëm për akuzat e korrupsionit me tenderat e ushqimeve në burgje.

Sipas gazetares së Top Channel Anila Hoxha, Zoto ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkon rishikimin e vendimit për kompensimin financiar të përfituar për burgosjen e tij.

Artur Zoto u arrestua më 21 shkurt 2017, në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderat e furnizimit me ushqime për institucionet e vuajtjes së dënimit. Ai qëndroi në paraburgim deri më 19 shtator 2018, kur Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e shpalli të pafajshëm.

Në shkallën e parë, Zoto ishte dënuar me 5 vite burg për korrupsion pasiv, bazuar kryesisht në dëshminë e ish-zëvendësit të tij, Iliaz Labi, i cili ishte bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Labi kishte deklaruar se kishte marrë 2 milionë lekë nga bizneset që konkurronin për tenderat dhe se paratë ia kishte dorëzuar ish-drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve. Megjithatë, Apeli rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe shpalli të pafajshëm Zoton.

Pas pafajësisë, ish-zyrtari iu drejtua Gjykatës Administrative me padi civile, duke kërkuar kompensim për periudhën e qëndrimit në qeli. Në shkurt 2019, gjykata vendosi t’i njohë 1 milion e 725 mijë lekë dëmshpërblim, duke pranuar pjesërisht kërkesën e tij.

 

Top Channel