Laert Haxhiu

Në pritje për të dëgjuar dëshmitarin e fundit të SPAK, seanca ndaj Laert Haxhiut dështoi sërish.

Shkak u bë avokati mbrojtës i 31-vjeçarit, që dyshohet nga prokuroria si shef grupi kriminal si dhe akuzohet për vrasje.

Me një kërkesë dorëheqjeje, avokati thotë se nuk ka prokurë përfaqësimi të drejtpërdrejtë nga Laert Haxhiu, por nga i ati i tij. Ky qëndrim nuk pranohet nga gjykata e posaçme e cila për të disatën herë e ka gjobitur për mos paraqitje në proces.

Sheti shqiptar ka provuar disa herë ta njoftojë Laert Haxhiun, i cili mbahet në burg në Greqi duke përdorur rrugën diplomatike, atë të vënies në dijeni përmes ambasadës shqiptare në Athinë.

Procesi hyri në ngërç në momentin që shteti shqiptar që ka ngritur akuzë për masakrën e Lushnjës, i kërkoi Greqisë ekstradimin e Haxhiut. Ky i fundit që prej 2017 deri në maj kur u arrestua, konsiderohej nga policia shqiptare si njëri ndër pesë më të kërkuarit, ka kërkuar azil me pretendimin se në vendin e tij i rrezikohet jeta.

Laert Haxhiu po gjykohet për vrasjen e Zamir Latifit e Jurgen Hoxhës. Ndërkohë për të i penduari Tafani ka treguar se ka kryer edhe ngjarje të tjera vrasjesh disa ende nën hetim dhe që nuk bëhen publike nga SPAK.

Top Channel