51-vjeçarja Gera Kulla, nën petkun e një aktivisteje për mbrojtjen e kafshëve që merrte qen dhe mace në situatë rruge dhe i strehonte, u zbulua nga kamerat e një pallati, të cilat treguan një të vërtetë tjetër.

Ajo i dhunonte mizorisht kafshët dhe për këtë arsye komisariati nr 3 i policisë e ka proceduar penalisht dhe çështja po hetohet nga policia.

Keqtrajtimi apo braktisja e kafshëve është një vepër penale që dënohen me gjobë deri në 6 muaj burg. Por edhe pse rrezikojnë dënimin shumë njerëz i kryejnë këto veprime. Vetëm gjatë vitit 2023, 46 persona janë proceduar nga ana e policisë së shtetit dhe po hetohen për këtë vepër penale.

Në rrjetet sociale shpesh herë janë bërë virale raste kur kafshët keqtrajtohen duke u goditur me sende të forta apo duke u tërhequr zvarrë me makinë.

Rasti më flagrant ishte balsamosja e një shqiponje në fshatin Buhal të Përmetit rreth një muaj më parë. Specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe një veteriner, i shkuan në ndihmë shpendit të keqtrajtuar i cili ishte lidhur në një porte teli por ai nuk mundi dot të mbijetojë.

Ndërkohë që policia lokale arrestoi një 35-vjeçar si autor të kësaj ngjarje. Nga kontrolli i banesës së tij u gjetën dhe 2 sorkadhe të vrara.

Situatë problematike paraqitet edhe me braktisjen e kafshëve sidomos qenve. Individë të caktuar i blenë ata në dyqane dhe pasi i mbajnë pak kohë i braktisin në rrugë. Kështu kafshët ose destinohen të ngordhin nga uria dhe sëmundjet ose bëhen agresive dhe krijojnë probleme për kalimtarët.

Top Channel