Vendi ynë, historikisht ka qenë shënjestër e Greqisë e cila ka shfrytëzuar jo vetëm diplomacinë, por edhe strategji të ndryshme si armë për të arritur të zgjerojë ndikimin në jug të Shqipërisë.

Këtu, duhet të theksojmë presionet konstante me kartën e integrimit, sa herë shfaqet ndonjë çështje për të cilën shteti helen ka interesa.

“Greqia u përpoq të krijonte një nocion të ri vorioepiriot ku të përfshinte të gjithë ortodoksët e shtetit e shqiptar… Korçë, Pogradec, Tepelenë, Himarë, Përmet, Gjirokastër”, u shpreh historiani, Beqir Meta.

“Numri që zënë pakicat është më pak se 5%”, deklaroi gjuhëtari, Rami Memushaj.

Është një betejë qindravjeçare e cila herë-herë është sfumuar për shkak kushteve politike në Shqipëri siç ndodhi gjatë regjimit komunist ku kufijtë u mbyllën dhe vendi u izolua. Por me ardhjen e demokracisë, dosjet janë nxjerrë nga sirtarët.

Synimi i Greqisë është njohja e Himarës si trevë me identitet dhe etni greke. Jo vetëm kaq, por planet ndër dekada janë për një zgjerim në fshatrat ortodokse shqiptare në jug nëpërmjet koncepteve të reja të futura në lojë prej Greqisë.

“Në këto tre fshatra këta janë shqiptarë por ka zënë vend propaganda greke nëpërmjet pasaportave dhe pensioneve”, u shpreh gjuhëtari, Rami Memushaj.

Zgjerimi fiktiv i hartës së zonës minoritare tenton të shkojë përtej 99 fshatrave të njohura nga shteti shqiptar ku përfshihen fshatrat Frashtan, Llugar dhe Koshovicë.

Nga ana tjetër, shteti grek pretendon 103 fshatra minoritare ku përfshin Himarën, Dhërmiun, Palasën dhe Qeparoin Fshat. Qëllimi është krijimi i një hapësirë kompakte minoritare në territorin që deri në vitin 1920, shteti grek e njihte si “Epiri i Veriut”. Pra, një plan i mirëfilltë që ndiet ndër shekuj nga fqinjët jugorë.

Top Channel