Ekskluzive në Inside Story: Motra e Nel Çamit: I penduari i drejtësisë ka fshehur masakrën në familjen time, tentuan të më rrëmbejnë fëmijën…
Deri atë ditë, Everest Çaka kishte ruajtur një profil të ulët në Elbasan edhe pse në zonë e njihnin si një prej të fortëve me të shkuar të errët.
Një personazh misterioz i dyshuar për vrasje dhe përfshirje në trafik ndërkombëtar droge në Spanjë e më gjerë…
41-vjeçari u eliminua në një atentat të mirëorganizuar që nisi me inskenimin e një aksidenti. Vetura e tij u përplas nga pas në çastet që tentoi të nisej. Në ato momente, drejt Çakës u lëshua një breshëri plumbash që e lanë të vdekur në vend. Dëshmitare ishte bashkëshortja e tij, e cila u plagos me një plumb në krahë.
“Pashë një burrë që u afrua tek xhami i shoferit dhe mbante në duar një armë. Ai qëlloi disa herë në drejtim të Everesit, në qafë dhe në gjoks. Një plumb më goditi në krah”.
Pesë vite më vonë, ngjarja ka mbetur ende e pazbardhur dhe autorët nuk u zbuluan kurrë.
Viktima ishte kushëri i Arjan alias Ardit Spahiut, i njohur me nofkën ‘Arjani i vogël’. Spahiu ishte ekzekutuar në Belgjikë në 27 nëntor të vitit 2020, në lagjen “Molenbek” në Bruksel.
Por, përpos armiqësive të shumta, viktimat Arjan Spahiu dhe kushëriri i tij Everest Çaka prej vitesh kanë qenë të përfshirë në një konflikt për të cilin është folur pak ose aspak.
Një konflikt që në Elbasan e njihnin mirë: hasmëria e vjetër mes familjeve Alikaj – Mahmuti nga njëra anë, dhe Çaka – Spahiu nga ana tjetër. Kjo ishte arsyeja që pas vrasjes së Everest Çakës u thirrën në polici të afërm të familjes Alikaj. Ky është Vladimir Merxhani, dhëndër në familjen Alikaj, së cilës i janë vrarë të dy djemtë në këtë përplasje. Vladimiri rrëfen për herë të parë historinë e krimeve që kanë mbetur të pazbardhura, teksa përmend edhe emra konkretë që sipas tij mund të shkojnë tek e vërteta e plotë.
Një histori që fut në vorbullën e informacioneve edhe të penduarin e drejtësisë, Erjon Alibej, një prej njerëzve më të afërt të kushërinjve të ndjerë Everest Çaka dhe Arjan Spahiu…
“Unë kam qenë në shtëpi, me 3 çunat e më morën mua me 3 çunat, nuk dija gjë pse po shkoja në polici, llogarite. Më kanë mbajtur afro 21 orë në polici, pse të merresh unë për Everest Calën? Ata e njihnin Ladin dhe Cunat e Ladit, pse dyshonin te unë. Ndaj i kërkoj vetëm një gjë policë e prokurorisë: që vetëm drejtësia të shkojë atje ku duhet dhe Erjon Alibej të dalë me ato deklaratat e veta…” u shpreh Vladimir Merxhani, kunati i vëllezërve Alikaj.
“Kam përshtypjen që për herë bëhen pyetje të përgjithshme nga prokuroria: ca di nga ngjarja apo personi që mos t’i japë shkak atij më vonë që të thotë se s’më keni pyetur për këto. Këto janë teknika hetimi për të ezauruar këtë aspekt procedural,” u shpreh Ermal Yzeiri, avokat.
“Deklarimet e bashkëpuntorit të drejtësisë s’mund të jenë selektive; nëse janë selektive s’ka më marrëveshje, nëse s’ka më marrëveshje ai humbet statusin. Elementi bazë mbi të cilin vendoset marrëdhënia, pra një person përfiton disa benefite nga marrëdhënia, është fakti që duhet të jetë i vërtetë dhe jo selektiv,” u shpreh Florian Bonjaku, ish-prokuror.
Top Channel