Zjarri i tregut të fruta-perimeve në Lushnje, policia shpall në kërkim autorin e dyshuar të zjarrvënies

21/05/2026 12:45

Si rezultat i hetimeve sa i përket zjarrit të rënë në tregun e fruta-perimeve disa ditë më parë në Lushnje, është identifikuar dhe shpallur në kërkim një shtetas i dyshuar si autor i zjarrvënies, ndërsa vijon puna për identifikimin e një shtetasi tjetër të përfshirë në ngjarje.

Më 19 maj, sallën operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë ka mbërritur njoftimi se tregu ishte përfshirë nga zjarri. Shërbimet e Policisë dhe zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, brenda pak orësh, kanë mundur të shuajnë flakët.

Si pasojë e zjarrit janë dëmtuar disa tezga dhe produkte të tregtarëve. Fillimisht dyshohej se shkak ishte një shkëndijë elektrike, por hetimet e mëtejshme nën drejtimin e Prokurorisë kanë mundësuar identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasit K. Ç., banues në Durrës, si njëri prej autorëve të mundshëm.

Nga pamjet filmike rezulton se K. Ç. ishte pranë tregut së bashku me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar. Dyshohet se të dy kanë ndezur zjarrin dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.

Policia vijon punën për kapjen e K. Ç., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit tjetër. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Top Channel