Fenomeni i largimit të mjekëve të rinj nga Shqipëria dhe protestat e fundit të studentëve të mjekësisë për ligjin e ri që i detyron të punojnë në vendin e tyre deri në pesë vjet, ose derisa të paguajnë tarifat e tyre të shkollimit është trajtuar në një shkrim të gjatë nga gazetarja Briseida Mema për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

“Si një nga vendet më të varfra të Evropës, kombi ballkanik nuk mund të konkurrojë me pagat dhe kushtet e punës në Gjermani apo Itali, ku shumë mjekë të rinj shqiptarë lëvizin për punë”, thuhet në shkrimin që e vë theksin tek vendimi më i fundit i qeverisë për të frenuar ikjen e mjekëve të rinj.

“Që kur ligji ka hyrë në fuqi më 1 tetor, studentët e mjekësisë kanë kërkuar heqjen e tij. Ata kanë mbajtur protesta jashtë ministrisë së arsimit dhe Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Tiranës. Ata e etiketojnë legjislacionin “jokushtetues” dhe argumentojnë se ai shkel parimet bazë të të drejtave të njeriut mbi lirinë e lëvizjes, duke i privuar atyre mundësinë për të zhvilluar trajnime jashtë vendit”, thekson AFP-ja duke sqaruar se për çështjen pritet të vendosë tashmë gjykata Kushtetuese.

Agjencia franceze e lajmeve thekson ndër të tjera se Gjermania po bëhet gjithnjë e më joshëse për mjekët, veçanërisht nga vende si Shqipëria.

Prej 1 nëntorit, Gjermania prezantoi një sistem të ri, të efektshëm imigrimi për punëtorët nga vendet jashtë Bashkimit Evropian. E ashtuquajtura “Chancenkarte”, për njerëzit me një kontratë pune potenciale dhe jo të përhershme, me paga nga 2800 deri në 3900 euro duke e bërë edhe më joshëse vendimin për të punuar jashtë vendit.

“Në një vend si Shqipëria ku paga mesatare e një të riu të diplomuar në sektorin publik është 1000 euro në muaj, oferta të tilla janë joshëse”, theksohet më tej në shkrim.

Shkrimi ndalet edhe tek shifrat konkrete dhe vëren se vetëm në dekadën e fundit nga Shqipëria janë larguar mbi 3000 mjekë. Të paktën 1000 prej tyre punojnë në Gjermani. Po ashtu në 4 vitet e fundit vendit i kanë ikur edhe 16,000 infermierë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor. Por pavarësisht kësaj studentët thonë se më shumë se paga, kushtet më të mira të punës janë thelbësore për të qëndruar në Shqipëri.

Top Channel