Viktimat e përgjimeve të “SKY ECC”/ Goditet grupi kriminal i drogës Itali-Spanjë

27/10/2023 12:17

Europol në bashkëpunim me policinë italiane dhe atë spanjolle kanë goditur një rrjet të madh kriminal që qëndron pas trafikimit të disa tonëve hashash që trafikoheshin në vendet e BE.

Hetimi, i mbështetur gjithashtu nga Eurojust, i dha një goditje rrjetit që merrej edhe me pastrimin e parave. Gjatë operacionit janë arrestuar 58 persona në Itali dhe 20 në Spanjë, dhe janë sekuestruar 350 kg kanabis, armë, pajisje elektronike, dokumente dhe pasuri me vlerë 845 000 euro.

Rrjeti kriminal u godit fillimisht në nëntor 2022, kur Europol mbështeti një aksion të koordinuar që çoi në arrestimin e 36 të dyshuarve me kombësi shqiptare, italiane dhe spanjolle në Itali. Autoritetet holandeze dhe spanjolle arrestuan gjashtë të dyshuar të tjerë përmes ekzekutimit të urdhër-arresteve evropiane. Vetëm ndërmjet viteve 2019 dhe 2021, autoritetet e zbatimit të ligjit në Itali dhe Spanjë sekuestruan më shumë se 6 tonë kanabis dhe hashash, si dhe mbushëse për cigare elektronike me bazë kanabinoid.

Hetimet penale nisën në vitin 2019 në Itali dhe 2022 në Spanjë. U zbulua se të dyshuarit komunikonin nëpërmjet përdorimit të platformave të koduara të komunikimit Sky ECC dhe Encrochat.

Pagesat për dërgesat e drogës u organizuan nëpërmjet një sistemi bankar informal të ngjashëm me hawala të njohur si fei-ch’ien. Ky sistem bankar i nëndheshëm drejtohet kryesisht nga shtetas kinezë dhe lejon transferimin e parave të gatshme nga një vend në tjetrin përmes një rrjeti zyrash të besuara. Paratë nuk dërgohen fizikisht, përkundrazi zyrat kompensojnë njëra-tjetrën më pas. Hetimet financiare dhe të rikuperimit të aseteve janë ende në vazhdim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA