Sulmet izraelite në Gaza janë të barabarta me një masakër të mirëfilltë e të qëllimshme, i tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, Papa Françeskut në bisedën telefonike të zhvilluar me të.
Heshtja e bashkësisë ndërkombëtare është e turpshme, citohet të ketë thënë kreu i shtetit turk. “Goditja e vëllezërve tanë palestinezë, përfshirë fëmijët, pacientët dhe personat e moshuar, e madje edhe shkollat, spitalet e xhamisë përbën krim kundër njerëzimit. Lotët e perëndimit për Izraelin janë mashtrim”, ka thënë Erdogan, që një ditë më parë njoftoi anulimin e vizitës që kishte planifikuar në shtetin hebre.
Erdogani u shpreh po kështu Hamasi sipas tij, nuk është organizatë terroriste, por një grup njerëzish që luftojnë për çlirimin dhe mbrojtjen e tokave palestineze. Turqia, shtet anëtar i NATO-s, e ka dënuar vrasjen e civilëve nga Hamasi në 7 tetor gjatë sulmeve në jug të Izraelit, ndërsa u ka bërë vazhdimisht thirrje nga ana tjetër forcave izraelite të frenohen gjatë përgjigjes së tyre.
Ankaraja ka qenë një nga zërat më të fuqishëm kritikë kundër bombardimeve në Rripin Gazës, që kanë marrë deri tani me mijëra jetë civilësh, ndër të cilët dhe shumë fëmijë. Turqia mbështet zgjidhjen me dy shtete për konfliktin prej dekadash mes Izraelit dhe palestinezëve ndërsa në situatën aktuale, apelon për një armëpushim të menjëhershëm, dërgimin e ndihmave humanitare pa pengesa në Gazë dhe që shtetet myslimane të punojnë së bashku për t’i dhënë fund dhunës.
Top Channel