
RENEA ka zbarkuar në Shkodër, ku së bashku me policinë vendore të Shkodrës kanë bërë të mundur arrestimin e një 43-vjeçari.
Balil Murataj terrorizoi zonën e Bardhajve në njësinë administrative Rrethinat. 43-vjeçari gjatë gjithë pasdites së sotme, në ecje e sipër me automjetin e tij, qëlloi në ajër me armë zjarri here pas here.
Dy grupe të RENEA-s mbërritën në orët e mbrëmjes në Shkodër, ku nisën aksionin në rrugët e qytetit në kuadër të planit operacional të policisë së shtetit.
Gjatë kontrollit fizik, Muratajt i është gjetur një sasi municioni luftarak, që u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me armën e zjarrit automatik që ai e kishte fshehur në pyll sapo ka parë që ishte rrethuar nga shërbimet e Policisë.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel