Përmes ministres së Jashtme, Annalena Baerbock, Gjermania po kërkon të ndërmjetësojë në konfliktin e Lindjes e Mesme, edhe pse mundësitë, siç pohon vetë kryediplomatja, janë të kufizuara.

Brenda tre ditësh, Baerbock zbarkoi në katër vende për bisedime intensive: Jordani, Izrael, Liban, Egjipt me qëllimin të frenohet përhapja e luftimeve në rajon, dhe nga ana tjetër, të zbutet kriza humanitare në Rripin e Gazës. Në fjalimin e saj në “samitin për paqe” në Kajro Baerbock përshkroi vuajtjet dhe shqetësimet, me të cilat po përballen njerëzit në terren dhe përtej të gjithë kufijve.

“Kudo në rajon shohim vuajtje dhe frikë të tmerrshme njerëzore shpreh ajo. “Në periudhën afatshkurtër, është e rëndësishme, që të zbutet vuajtja, atje ku ajo është më e madhe”, tha shefja e diplomacisë gjermane, e cila nënvizoi faktin që Berlini ka rritur ndihmën humanitare për Rripin e Gazës në rreth 50 milionë euro.

Ndërmjetësimi gjerman pranohet sa u përket pengjeve. Por eksperti për Izraelin pranë Fondacionit Shkenca dhe Politika, Peter Lintl, mendon se pavarësisht vullnetit të mirë, ndërmjetësimi i Gjermanisë ka limitet e tij dhe një nga arsyet përse ajo nuk mund të ofrojë mbështetje maksimale, është fakti që nuk ka komunikim me Hamasin.

Ndihmën më të madhe duket se Berlini mund ta ofrojë në organizimin e ndihmave humanitare, e kjo pranohet edhe nga Izraeli, sepse ndihma kërkohet edhe nga ana e SHBA-së. Një pjesë e vendeve arabe e shohin me skepticizëm politikën e jashtmë gjermane, e gjatë ndalesës së saj ne Aman, Baerbock e ndjeu dhe vetë një gjë të tillë, pasi deklaratat e vendosura të saj se Izraeli është viktimë e terrorit të Hamasit dhe ka të drejtë të mbrohet, u pritën me rezerva.

Top Channel