Kufizimi i lirisë së Sali Berishës pa autorizim është shkelje e rëndë e Kushtetutës, u shpreh deputeti demokrat Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat.
Opozita mbështet drejtësinë, tha Bardhi, por kur ndaj një deputeti duhet të caktohet masë sigurimi që kufizon lirinë, prokurori është i detyruar të kërkojë autorizim nga Kuvendi.
“Dje jam njohur me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që cakton në mënyrë të njëkohshme dy masa sigurimi ndaj z. Sali Berisha. Të dyja masat e sigurimit kufizojnë lirinë e tij të lëvizjes. Kufizimi i lirisë së lëvizjes së z. Sali Berishës, pa autorizim të Kuvendit, është një shkelje e rëndë kushtetuese që ngre pikëpyetje të forta mbi arsyet e nxitimit të SPAK. Imuniteti parlamentar është më së pari garanci ndaj deputetëve të opozitës, edhe pse opozita aktuale nuk kërkon dhe nuk pret mbrojtje, imunitet apo trajtim preferencial nga Drejtësia. Por, drejtësia që të konsiderohet e pavarur, që të trajtohet e respektohet si e pavarur, duhet të kryejë akte me forcën e ligjit, bazuar në prova e me transparencë, e pandikuar nga pushteti dhe duke respektuar procesin e rregullt ligjor”.
Bardhi theksoi se do të votojë në favor të çdo kërkesë që do të vijë në Kuvend, për të treguar që askush nuk është mbi ligjin.
“Personalisht do të votoja në favor të çdo kërkese të organeve të drejtësisë që do të vinte në Kuvend, si shenjë e besimit tim se askush nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin apo të gëzojë një status të veçantë në raport me secilin prej votuesve tanë. Ky është edhe një dallim nga Grupi Parlamentar i PS që në të shkuarën kur interesi politik ja ka dashur ka penguar Prokurorinë të veprojë. Mirëpo, nëse shkelja dhe nxitimi i SPAK për të mos respektuar procedurën e detyrueshme të kërkuar nga Kushtetuta në këtë rast ka patur si qëllim të krijojë perceptimin e rremë të zhvendosjes së betejës së opozitës nga një betejë kundër regjimit të Edi Ramës, në një “betejë” me drejtësinë, dua të sigurojë që ky skenarë do të dështojë”.
Në deklaratën për shtyp, Bardhi u kujdes të theksonte se beteja e opozitës nuk është me drejtësinë, por me kryeministrin Edi Rama dhe shkeljet e bëra nga ana e tij.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tashmë është i dyshuar për veprën penale “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, për çështjen e privatizimit të Kompleksit Sportiv Partizani. Gjykata e Posaçme ka caktuar për të masën e sigurisë detyrim paraqitje si dhe i ka ndaluar të dalë jashtë vendit.
Ndërkohë, u arrestua dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi. Sipas SPAK, përfitimet e marra nga Jamarbër Malltezi në cilësinë e investitorit nga shoqëria “Homeplan” sh.p.k., pa investuar tek kjo e fundit, përfitime të marra para se të deklarohej si bashkortak në këtë shoqëri, fitimet e akumuluara ndër vite të kësaj shoqërie si dhe ato të shpërndara në vijim, pas vitit 2018, të llogaritura në total në shumën 672 976 832 lek ose 5 420 345 euro.
Top Channel