Papunësia e grave shton varfërinë/ Sistemi arsimor i kufizon, në punë paguhen më pak se burrat

20/10/2023 19:42

Fuqizimi i grave në tregun e punës do të ishte shpëtim për të ulur varfërinë në vend.

Kjo është kërkesa e Bankës Botërore për të rritur ekonominë: më shumë gra të punësuara. Mirëpo pabarazia gjinore haset ende gjithkund dhe hendeku në Shqipëri është 14%. Shkak për të hequr dorë nga puna apo për të punuar pjesërisht, thotë Banka Botërore bëhet edhe sistemi arsimor shqiptar, ku orët e mësimit të fëmijëve zgjasin sa gjysma e orëve të punës.

Enida është një nënë shtëpiake e cila shoqëron çdo ditë vajzën për në shkollë.

“Që ditën që ka lindur e kam lënë punën sepse i jam përkushtuar vajzës. Ajo fillon mësim në 1 pasdite dhe mbaron në 5 të darkës, kush të merr në punë për 4 orë. Kur kam qenë e punësuar në pastiçeri, edhe pse punoja 12 orë me dy turne kishte raste, paguhesha më pak se burri im me 8 orë pune në ndërtim”, tha Enida Muçollari.

Faktor tjetër që kufizon aftësitë e punës te gratë jashtë shtëpisë është edhe kujdesi për familjarët e moshuar. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se vetëm 2% e të moshuarve marrin shërbim privat, ndërsa pjesa tjetër i kanë sytë nga familjarët.

“Gratë bëjnë punë të papaguara. Mirë do ishte të ketë barazi. Ja nusja ime ka një vit që rri në shtëpi sepse kujdeset”, tha nëna Qefsere.

Në analizën e ekspertëve të punësimit, vihet re ndër vite një përparim i pjesëmarrjes së grave në sipërmarrje, por kjo ndodh kryesisht në qendrat e qyteteve të mëdha; ndaj përpjekjet për barazinë gjinore në punë duhet të shtohen për të sjell zhvillimin edhe në zonat periferike.

“Problem mbeten punët e papaguara në shtëpi, ku gruaja është e angazhuar gjithë ditën. Gjithashtu problem tjetër janë gratë në bujqësi të cilat janë në të njëjtin front me burrat por që të ardhurat I merr burri. Kjo nuk shkakton pavarësi financiare te gruaja e si rrjedhojë nuk sjell as zhvillim në shoqërinë shqiptare”, tha eksperti i punësimit, Erald Pashaj.

Top Channel