Muajin e kaluar e kërkonte Aleksandër Vuçiç që me cështjet e sigurisë në veriun e Kosovës të merrej KFOR-i e jo policia.
Tani ishte radha e kryeministrit Albin Kurti të kërkonte të forcat shtesë të KFOR-it, të dërguara në vend, të përqendrohen tek ruajtja e kufirit me Serbinë. Kurti e ngriti këtë pretendim gjatë një takimi me komandantin e ri të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Ozkan Ulutash.
Biseda e tyre u fokusua tek situata e sigurisë në vend, sidomos pas sulmit ndaj forcave të rendit në 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë Afrim Bunjaku si dhe tre agresorë serbë. Kurti tha se Kosova është e interesuar që të rrisë bashkëpunimin me KFOR-in.
“Kryeministri e përshëndeti shtimin e numrit të trupave të KFOR-it, në përgjigje të sulmit terrorist nga ana e Serbisë në Kosovë, duke theksuar që kjo prezencë e re duhet të fokusohet tek kufiri nga ku hyri dhe armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën. Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës”, thuhet në deklaratën për shtyp të zyrës së tij.
Pas sulmit të Banjskës, NATO rriti praninë në Kosovë duke dërguar trupa shtesë. Kosova ka kërkuar nga BE-ja që t’i vendosë Serbisë masa ndëshkuese, ndërkaq në bllokun europian kanë thënë se po presin që të përfundojnë hetimet dhe më pas do të vendosin për masat dhe hapat eventualë.
Top Channel