Policia vendase tha se sulmi ishte një akt i qëllimshëm i rebelëve ADF pranë kufirit me R.D të Kongos
Dy turistë, një nga Britania dhe një nga Afrika e Jugut janë vrarë bashkë me guidën e tyre turistike vendase në Uganda, teksa sulmet apo provokimet për konflikt përhapen tashmë dhe në rezervatet turistike afrikane.
Bashir Hangi, zëdhënësi për turizmin e botës së egër në Uganda tha se sulmuesit kishin djegur automjetin me të cilin grupi i turistëve po udhëtonin në parkun kombëtar të Queen Elizabeth.
Zyrtarët e sigurisë thanë se po punonin për të zbuluar autorët e këtij “akti djallëzor”.
Ata thanë në një deklaratë: “Viktimat, emrat e të cilëve nuk janë publikuar ende, përfshijnë një qytetar nga Uganda, një britanik dhe një qytetar të Afrikës së Jugut. Ata ishin duke udhëtuar me kompaninë turistike Gorilla and Wildlife Safari.”
Zëdhënësi i policisë Fred Enanga, tha se rebelët ekstremistë mund të kenë ardhur nga baza e tyre në Republikën Demokratike të Kongos, për të kryer “sulmin e mbrapshtë terrorist”.
Ata shtonin se rebelët ADF, kanë lindur në Uganda por operojnë në zonat e pakontrolluara në Republikën Demokratike të Kongos.
Parku kombëtar në fjalë ndodhet pranë kufirit mes vendeve është një nga rezervatet më të frekuentuara natyrore në vend.
Top Channel