Tetori rozë ka ndërgjegjësuar gratë të drejtohen pranë poliklinkës së specialiteteve numër 3 në Tiranë për të bërë mamografi aq sa janë krijuar radhë të gjata.
“Do bëj mamografi. Kam bërë një herë para shumë vitesh. Nuk kam gjë po kot për kontroll”, shprehet një grua.
“Është hera e parë. Kot për kontroll se nuk ndiej gjë”, thotë një tjetër.
“Unë vij vazhdimisht bëj mamografi. E kam bërë para tre vitesh dhe ja do ta bëj tani. Ndërsa eko gjiri bëj çdo gjashtë muaj”, shprehet një nga pacientet.
Ndonëse gjatë vitit në poliklinikën numër 3 bëhen 100 mamografi në muaj, tani bëhen 60 mamografi në ditë.
“Në tetor bëjmë 60 mamografi në ditë, ndërsa gjatë muajve të tjerë bëjmë 20 – 25 . Nga 60 që bëjmë ne në ditë, 10 – 15 dalin me probleme. Por do të kërkoja që mamografi të bëhen edhe në poliklinika të tjera, sepse vijnë nga e gjithë Shqipëria, në mënyrë që të kemi kohë për të dhënë përgjigje të sakta dhe në kohë më të shpejtë”, shpjegon radiologu Arduan Mataj.
Gratë duhet të ndërgjegjësohen që kanceri i gjirit nuk prek vetëm në tetor ndaj kontrollet duhet të bëhen gjatë gjithë vitit.
Top Channel