“Në kuadër të dashurisë” rekord në Korçë! Biletat për fundjavën u shitën, produksioni do e shfaqë dhe të hënën

14/10/2023 08:52

Në qytetin ku u xhiruan një pjesë e skenave të filmit “Në kuadër të dashurisë” premiera shënoi suksesin e radhës.

Për publikun i cili e kishte pritur me padurim këtë realizim pritja nisi herët e duartrokitjet i shoqëruan artistët që prej sheshit të teatrit teksa vinin njëri pas tjetrit. Dikush për të parë interpretimin e personazheve të tyre të dashur dhe dikush për të shijuar prodhimin e parë filmik të Top Channel pritshmëritë ishin të larta.

“Për aktorin kryesor Luizin, për atë kemi ardhur këtu”, tha një qytetar.

“Unë vij nga Athina, për të parë Luizin. Më dërguan djemtë dhe dua ta shikoj”, tha një qytetare.

“Në kuadër të dashurisë”, filmi që për 95 minuta mban pezull publikun ka arritur rekord në Korçë. Regjisori Koloreto Cukali zbulon një nga detajet që ky film prej konceptimit ka qenë i lidhur me Korçën

“Mendoj që ky është filmi i Korçës. Madje përpara se t’i vendosej titulli që ka aktualisht, në dosje dhe në skenar e kisha titullin ‘Filmi i Korçës’. Korça e ka dashur filmin që kur xhirohej”, tha regjisori.

Të gjitha biletat janë shitur për fundjavën ndaj produksioni ka vendosur që filmi të shfaqet edhe ditën e hënë në orarin 18:00 dhe 20:00.

Rikthimi në shtëpinë e xhirimit i gjen artistët të cilët mikpritjen e publikut e kanë ndierë sapo kanë arritur në Korçë, me emocione të dyfishta.

“Unë jam shumë e lumtur që “Në kuadër të dashurisë” sot është permierë në Korçë dhe biletat janë gati të shitura për të gjitha ditët në vazhdim”, u shpreh Zamira Kita.

“As unë nuk e prisja këtë pritej të publikut të Korçës”, tha Salsano Rrapi.

Projekti i suksesshëm me kastin e aktorëve profesionistë, personazheve publike më në zë të momentit dhe një staf i madh që punuan së bashku arritën që të përcjellin tek publiku emocione, humor dhe energji pozitive.

Top Channel