Me tanket izraelite që presin vetëm dritën e gjelbër në kufi për të nisur një mësymje të plotë tokësore ndaj Gazës, dhe njësitë e ushtrisë së Izraelit që kanë kryer tashmë disa inkursione të pjesshme në territor, situata paraqitet gjithmonë e më e vështirë për banorët e zonës
Kajro, Tel Avivi dhe Washingtoni arritën ndërkohë një marrëveshje për t’i lejuar të huajt që janë në Gaza, të largohen përmes pikës kufitare të Rafahsë drejt Egjiptit. Izraeli ka pranuar t`u ndalojë sulmet në zonat ku do të kalojnë të huajt që i largohen Gazës së rrethuar. Në negociata është përfshirë dhe Katari, ndërsa mësohet se pjesëmarrësit kanë marrë miratimin e grupeve militante palestineze, Hamas dhe Xhihadi Islamik.
Izraeli ka urdhëruar evakuime masive të palestinezëve nga veriu i Rripit të Gazës drejt jugut, e paskësaj, thotë se do të nisë ofensivës e shumëparalajmëruar. Por Jordania paralajmëroi se një zhvendosje masive e palestinezëve mund të çojë drejt një konflikti më të gjerë.
“Çdo veprim i Izraelit që rezulton me zhvendosje të palestinezëve rrezikon ta zgjerojë konfliktin. Bllokimi i ndihmave humanitare në Gaza nga ana e Izraelit, dhe urdhri për t’u larguar nga shtëpitë, është shkelje flagrante e ligjit ndërkombëtar”, shprehet ministri i Jashtëm i Jordanisë Ayman Safadi.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi më herët se ky është vetëm fillimi i hakmarrjes izraelite. Shteti hebre nuk i ka reshtur bombardimet në Gaza, nga ku deri tani sipas OKB-së janë zhvendosur tashmë rreth 400 mijë vetë. Në vazhdën e disa bliceve lokale, komandot izraelitë kanë zbuluar trupat e pajetë të disa prej personave të marrë peng nga Hamasi në fillimin e sulmeve të tij. 1.300 jetë njerëzish në Izrael ka kushtuar ky përshkallezim i konfliktit mes dy palëve; 1900 janë viktimat në Gaza.
Edhe në këtë situatë, Hamasi ka rinisur lëshimin e raketave nga Gaza. Vetëm drejt Ashkelonit, grupi militant lëshoi vetëm gjatë ditës së djeshme mbi 150 raketa.
Top Channel