Prodhoi vaksinat e Covid-it, BionTech mbyll fabrikat në Gjermani, mbyllen tre fabrika

29/09/2026 12:40

BioNTech, kompania prodhuese e vaksinave kundër COVID-19 që mori famë në të gjithë botën, do të mbyllë tre fabrikat e saj në Gjermani. Nga këto mbyllje preken rreth 1.800 punonjës.

Para disa vitesh, BioNTech, së bashku me partnerin e saj amerikan Pfizer, ishte kompania e parë që mori autorizimin për hedhjen në treg të një vaksine kundër COVID-19 dhe fitoi miliarda euro nga shitja e vaksinave. Kompania, e cila tashmë është përqendruar në prodhimin e barnave për trajtimin e kancerit, thotë se kërkesa për vaksinat kundër COVID-19 ka qenë në rënie prej disa vitesh dhe se ende nuk ka arritur të marrë miratimin për hedhjen në treg të ndonjë produkti tjetër.

Sipas BioNTech-ut, kërkimet për trajtime kundër kancerit janë shumë të kushtueshme. Për këtë arsye, gjashtëmujori i parë i këtij viti u mbyll me një humbje prej 1,35 miliardë eurosh. Kompania kishte tentuar shitjen e  komplekseve të prodhimit në Idar-Oberstein, Marburg dhe Tybingen, por kjo nuk u realizua, kryesisht për shkak të kushteve aktualisht të vështira të tregut dhe klimës së investimeve. Në Marburg prodhohen vaksina kundër COVID-19 të bazuara në teknologjinë mRNA, si dhe ADN plazmidike, një material i rëndësishëm bazë për prodhimin e vaksinave mRNA dhe terapive qelizore. Pas njoftimit për mbylljen e komplekseve të prodhimit, themeluesi i kompanisë farmaceutike CureVac, e cila dikur ishte rivale e BioNTech-ut në garën për zhvillimin e vaksinës kundër COVID-19, e akuzoi BioNTech-un për mashtrim.

Para disa muajsh, edhe kompania farmaceutike Bayer kishte ngritur padi kundër prodhuesve të vaksinave kundër COVID-19, Pfizer dhe BioNTech me pretendimet se kishin kopjuar patentat e saj. Figurat kyçe të kompanisë, çifti Ugur Şahin dhe Özlem Türeci, kanë deklaruar se do të largohen nga BioNTech-u, megjithatë do të mbeten aksionerë të saj.

 

Top Channel