Fiks Fare/ Lidhja e paligjshme elektrike shkrumbon apartamentin, rrezikon banorët e një pallati në Durrës

11/10/2023 20:40

Fiks Fare transmetoi mbrëmjen e së mërkurës denoncimin e banorëve të një pallati në Durrës, në afërsi të Stacionit të Trenit, të cilët jetojnë çdo ditë me frikën se “flakët do të rikthehen sërish”.

Sipas tyre, në fund të muajit shtator 2023, në pallat ra një zjarr i madh, duke shkrumbuar një apartament dhe dëmtuar shumë të tjerë, teksa kanë informacione se shkaku i rënies së zjarrit ishte një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.

I jemi drejtuar Fiks Fare për një problematike me rënien e nj zjarri në këtë pallat. Një apartament në katin e 7-të është shkrumbuar nga zjarri, si pasojë e një lidhje të paligjshme të energjisë elektrike. Apartamenti jepej me qira ditore prej shumë muajsh. Ka qenë fundi i muajit shtator, kur na erdhi policia dhe zjarrfikësja. Ishte ora 23.00, na trokitën në derë. Ishte tym e flakë gjithandej”, thonë banorët, teksa pohojnë se rrezikuan edhe jetën, pallati ishte plot me banorë.

“Flakët dhe tymi u përhapën dhe rrezikuam edhe ne. Kanë ardhur ata të policisë, zjarrfikësja dhe na thanë se shkak është lidhja e energjisë. Deri tani asnjë institucion s’është kujtuar për ne, të saktësohet se përse ra zjarri dhe ta rregullojnë. E kanë lënë ashtu, korridoret me blozë. Na u mbushën edhe apartamentet e tjera me blozë. I kemi pastruar”, pohon një banor.

Një tjetër thotë se e ka vendosur vetë dritaren e apartamenti që u shkrumbua pasi hynte ujë. “Më rridhte uji në shtëpinë time. Përveç flakëve, tymit por kemi edhe ujin. Rrezikojmë çdo ditë” thotë ai, teksa grupi i Fiksit shkoi te apartamenti, i cili ishte bërë shkrumb e hi. Banorët tregojnë të gjithë gjendjen në apartamentet e tyre, ndërsa korridori është sërish me blozë. Ata thonë se edhe pas rënies së zjarrit kishte sërish shkëndija elektrike. Kërkojnë që elektriku tu shkojë dhe të verifikojë nëse ka lidhje apo jo.

Ndërkohë, banorët ankohen edhe për tarracën. Thonë se është e mbyllur prej kohësh dhe askush s’ua hap.

E kanë zaptuar. Dikur shkallët kanë pasur ajrim, tani jo. Nëse do të kishin ajrim, tymi do të kishte ikur sipër. Na rrezikoi ne. Tarracën e kanë shitur duar me duar dhe e mbajnë tani të mbyllur, kur është hapësirë e përbashkët”, përfundojnë banorët.

Pas ankesës së banorëve, Fiks Fare kontaktoi me Drejtorinë Rajonale të OSHEE Durrës. Kjo drejtori dërgoi në atë pallat z. Marsel Roda, i cili është shefi i grupit kontrollues. Gazetarët e pyesin se cila ka qenë arsyeja e rënies së zjarrit, ndërsa na thotë se apartamentit ku ka rënë zjarr, në katin e shtatë, i ishte ndërprerë energjia elektrike në muajin qershor të vitit 2023. Pohon se s’ka informacion në lidhje me shkaqet, pasi këto shkaqet mund ti hetojnë organet ligjzbatuese me ekspertë të fushës. Sipas tij, pronarët e apartamentit kanë qenë debitor dhe u është ndërprerë energjia, madje edhe me procesverbal.

Tregon edhe matësin e energjisë elektrike, ku rezulton se ai matës është ende i ndërprerë, me kabull të këputur nga OSHEE edhe me procesverbal. E pyesim se si ra zjarri, na thotë se OSHEE ka për detyrë që të kontrollojë energjinë elektrike deri te kutia ku ndodhen këto matësa. Më pas, është detyra e gjithsecilit, e banorëve, pronarëve të pallatit, për të verifikuar çdo pretendim.

Gazetarët e pyesin se banorët kanë dyshime se ka sërish lidhje të paligjshme, na thotë se ka kontrolluar të gjithë linjën dhe se “deri te kutia e shpërndarjes së energjisë elektrike, s’ka asnjë lidhje të paligjshme”. Madje, pohon se edhe apartamenti në fjalë e ka ende të shkëputur energjinë elektrike.

FOTO GALERI
4/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA